PAMJET EKSKLUZIVE/ Ekstradohet nga Greqia Firdeus Berberi, “ushtari” i Laert Haxhiut. Ja për çfarë akuzohet
Është ekstraduar nga Greqia Firdeus Berberi, djaloshi që akuzohet për disa krime nga prokuroria e posaçme SPAK dhe një tentativë vrasje në qytetin e Pogradecit.
Ekstradimi i tij është kryer ditën e sotme, gati një vit pasi Berberi dhe Laert Haxhiu u arrestuan së bashku me një person të tretë në zonën e Janinës në Athinë.
Firdeus Berberi ka një proces të hapur pranë gjykatës së Korçës, ku akuzohet për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë ndaj Johan Muçllarit dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”, “Prishje e qetësisë publike”.
Berberi është djali i Ilir Berberit ose siç njihet ndryshe në Pogradec me nofkën “Liri i Rushkës”, person ky me precedentë penalë i implikuar në ngjarjen e goditjes së hotel “Voloreka” në gushtin e vitit 2020.
Prokuroria e Korçës një vit më parë kërkoi nga autoritet Helene, që Firdeus Berberi të transferohet drejt Shqipërisë, ku do i nënshtrohet procesit gjyqësor.
Të njëjtën kërkesë për ekstradim ka depozituar në gjykatë dhe prokuroria e Posaçme SPAK, e cila kërkoi nga Drejtësia Greke të transferojë në Shqipëri, Berberin si pjesë e grupit që ka kryer krime për llogari të Laert Haxhiut.
Haxhiu u ndalua gjatë një ndjekje që i bëri policia e Janinës një automjeti tip “BMW X6”,duke arrestuar personin shumë të kërkuar që fshihej në Greqi me dokumente false, duke përdorur emrin Gjeorgjian, Mikis Askalidis.
Bashkë me Laert Haxhiun, është ndaluar dhe Firdeus Berberi dhe shoku i tij, Juxhin Bajrami. Firdeus Berberi aktualisht është marrë i pandehur për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë dhe dy akuza të tjera.
Ndarsa SPAK e akuzon Firdeus Berberin për “Kanosje me armë” ndaj dy punonjësve të policisë dhe “Vjedhje me armë” të disa automjeteve.




