GJKKO mblidhet për “Gërdecin”, edhe Mediu në sallë, ekspertët ekonomikë kërkojnë kohë për...

Çelet seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Anti-korrupsion në ngarkim të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin tragjik të një "fabrike" për demontimin e armëve, 16 vite më parë të ndodhur në fshatin Gërdec, ku humbën jetën të paktën 26 persona.

Të pranishëm në sallë janë vetë i pandehuri bashkë me dy avokatët e tij, Henrik Ligori dhe Ardian Visha; 5 ekspertët që kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008, familjarët e Erison Durdës dhe avokati mbrojtës Dorian Matlia.

Po ashtu dhe dy prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Arben Kraja.

Ekspertët kontabël dhe ekonomikë në sallë:

1. Bexhed Zeqiri - Financier kontabël, aktualisht punonjës te KLSH, audit.

2. Ymer Stafa - Ekonomist financiar, pensionist.

3. Rasim Metallari - Financier, punonjës te Universiteti i Mjekësisë, auditues i brendshëm

4. Latif Çela - Financier i lartë, auditues te Ministria e Financave

5. Mondi Hoxha - Punonjës në sektorin privat, kompania “Kastrati Group”.

DEBATET NË SALLË

Bexhed Zeqiri: Na jepni paraprakisht një kohë të dytë që të përgjigjemi. Nuk mund të përgjigjemi për një material që gjithsecili e ka bërë në hesap të vet.

Gjoka: Konsultohuni me njëri-tjetrin për përgjigjet.

Ardian Visha: Kush prej jush ka cilësi vërtetë shkencore me titull akademik?

Ekspertët: Asnjë prej nesh.

Ardian Visha: Vlerësoni komplimentin e madh që ju bëri gjyqtarja që tha jeni shkencëtarë. Unë nuk kam si bëj pyetje, kur treçereku i tyre nuk pranohet. Ata janë caktuar, sepse janë urdhëruar si të tillë, në kohën e veprimit. Ne pretendojmë tejkalim të kompetencave të tyre për nxjerrjen e konkluzioneve.

Fatmir Mediu: A mund të na thoni se në këtë akt ekspertimi ekonomiko-financiar, cilat janë përgjegjësitë e ministrit? Kush është dëmi ekonomik nga urdhrat e ministrit? Çfarë ka bërë ministri që ka sjellë dëm ekonomik, me urdhrat, aktet, shënimet…? Ku është përgjegjësia e ministrit në këtë akt ekspertimi? Çfarë dëmi financiar i ka shkaktuar buxhetit të shtetit? Besoj e kanë dijeninë e aktit.

Klodian Braho: Ne do kërkojmë që pyetjet të ishin konkretisht pyetje – përgjigje, që janë në aktin e ekspertimit. Pyetja duhet të jetë më specifike (në faqen kaq, pyes për këtë).

Fatmir Mediu: Ne këtu nuk bëjmë pyetjen e prokurorit. Ju duhet të na kishit thënë kush janë përgjegjësitë e ministrit? Ju nuk e keni bërë në asnjë nga aktet e deri tanishme. Unë duhet të di ku është përcaktuar përgjegjësia ime.

Ekspertët: Nuk mund të flasim, na ndihmoni. Në një seancë tjetër na janë bërë 200 pyetje dhe ne kemi operuar në të njëjtën menyrë. Ne nuk po vëmë kusht për pyetjen, por duhet të na jepet mundësua, që në një material 100 faqe të gjejmë sqarimin. E kemi të vështirë, materiali është shumë voluminoz. Nuk mund të flasim secili, e kemi të vështirë.