Ligji i PS-së për Komisionet Hetimore/ Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e opozitës

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një sërë nenesh në ligjin për komisionet hetimore të miratuar në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste në mes të aksionit të opozitës.

Sipas kushtetueses fillimisht ligji duhet t'i japë alternativë opozitës për objektet hetimore. Përkatësisht nëse shumica nuk bie dakord për objektin atëherë ligji duhet ta specifikojë edhe mundësinë e objektit alternativ.

Ndryshime janë bërë edhe tek marrja e provave ku ligji i miratuar nga socialistët thoshte se shumica mund ta rrëzojë kërkesën për prova pa arsye.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese thotë se shumica mund ta rrëzojë kërkesën vetëm me arsyetim të mirë ligjor dhe jo thjesht me ngritje kartonësh.

“Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve” thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e mosmarrëveshjeve kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën të shfuqizojnë edhe nenin që parashikon marrjen e lejes nga Prokuroria apo Gjykata për të thirrur në dëshmi personat që janë nën masa siguri.

Një rast i ngjashëm ishte në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, ku Ervin Muça ndodhej nën masën e sigurisë arrest në shtëpi kur u thirr për të dëshmuar.

Po ashtu Gjykata Kushtetuese u heq të drejtën dëshmitarëve për të refuzuar dëshminë.

Ndryshimet ligjore për Komisionet hetimore u votuan në seancë e 21 dhjetorit vetëm me votat e mazhorancës, teksa opozita protestonte në sallë.

Ligji u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga 33 deputetë të opozitës, që kërkonin shfuqizimin në tërësi të ligjit të ri.