Gurët e malit u morën si tokë buke, Bollano shiti pronën e mësuesit tek një biznesmen. Hetim dhe për pastrim parash

Hetimi i hapur nga prokuroria e Posaçme SPAK, ka nxjerë zbuluar një skemë tragjike të tjetërsimit të pronave në Himarë, ku autorë të falsifikimit të dokumentave dhe përfitues të pronave, ishin vetë punonjësit e bashkisë Himarë.

Shkëmbinjtë e një zonë kodrinore që në hipotekën e Vlorës ishin të rregjistruar si “Livadh”, janë rrëmbyer përmes dokumentave të falsifikuara nga Arqile Bollano, duke e rregjistruar sipërfaqen prej 4263 m² si tokë bujqësore.

Nuk ka kaluar shumë nga rregjistrimi në hipotekë dhe dy parcelat “Vllatorja” dhe “Moskato”, janë shitur nga Arqile Bollano, tek një biznesmen i fuqishëm në Tiranë, me qëllim ndërtimin e hoteleve luksoze.

Për shkak se toka është shitur, SPAK po heton Arqile Bollanon dhe për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Mësohet se njëra nga këto pasuri ishte e mësuesit Irakli Likoka, i cili ka dy shtëpitë e tij, njëra e ndërtuar qysh në vitin 1910.

Sapo subjekti privat ka blerë shkëmbinjtë si tokë bujqësore tek Arqile Bollano, firma e ndërtimit ka bërë një kërkesë në bashkinë Himarë, me qëllim rrethimin e pronës së blerë. Goro ka miratuar lejën dhe firma ka çuar në teren puntorët për të kryer rrethimin.

…këtë që ka bërë kush e lejon, pse jep lejë Jorgo Gorua? Pse? Pse bën mbivendosje? Më i zoti është ai që vjen këtu? Ja shtëpia e Niko Likokës që është që në 1910, e dinë dhe gurrët që është që në 1910. Të çohen dhe gurët, se nuk do na ndalë asnjë gjë ta dini këtë…”-shprehet Filia Likoka.

Kompania private dhe vetë Arqile Bollano, janë ndeshur me rezistencën e pronarëve të ligjshëm, rezistencë e cila solli në teren policinë e Himarës.

SPAK pritet të thërasë këtë muaj mësuesin e Himarës, Irakli Likoka dhe shtetasen Filia Likoka, për të dëshmuar rreth kësaj çështje, ku janë të përfshirë dy kryebashkiakë të Himarës dhe punonjës të tjerë të bashkisë.

Rasti i arrestimit për herë të dytë i kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, tregon makutërinë e përlarjes së pronave nga zyrtarët e bashkisë, të cilët më pas ja kanë shitur subjekteve private të biznesmenëve.

SPAK po heton ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goron, kryebashkiakun aktual të komanduar, Arqile Bollano dhe një zyrtar tjetër të bashkisë, i quajtur Oleg Goro.

Ky i fundit së bashku me Arqile Bollanon, kanë qënë grupi i punës që ndërtonin listën e personave në Himarë, me qëllim përfitimin të pronave me formulën e përdorimit faktik.

Filia Likoka, përmes kësaj video të siguruar nga “Ora News” ka treguar përplasjen fillestare që ajo dhe Irakli Likoka, kanë pasur me puntorët e firmës që po i shkatëronin pronën dhe peripecitë që hasën me policinë Himarë.

...ditën e parë që i morëm ne në telefon nuk na erdhën. Ditën e dytë që mori zotëria, sa erdha që mbërita këtu me nipin edhe me burrin tim, i thotë Irakliu me çfarë të drejte më keni shkelur tokën time? I thotë ai: “...urdhëro letrat...”.Letrat janë që të gjitha të fallsifikuara. I thashë kështu policit:”...në qoftëse do na marësh në polici do vijnë dhe puntorët, do vijë dhe ai zotnija do vijmë dhe neve...”.Morën makinën, na vunë përpara na çuan në polici, ne na mbajtën aty, ndërsa puntorët dhe zotërinë e kthyen prapë dhe erdhën e punuan këtu.Dhe kur kam vajtur në polici atë nipin e futën nëpër hekura, brenda sikur çfarë kishte bërë. Nuk ngacmuam njeri, puntorët janë të gjallë dhe letë vijnë të tregojnë.As kemi ngacmuar njeri, kemi kërcënuar njeri asnjë gjë o vëlla...”-ka pohuar Filia Likoka.

Kjo e fundit tregon dhe peripercitë që ka pasur me shëndetin në ambjentet e komisariatit të Himarës, ku për shkak të sëmundës dhe mos lejimit për të marë mjekim është rrëzuar në dysheme, duke thyer dhëmbët.

“…Më falni mua më kanë çuar me ambulancë në shtëpi, as çelësa nuk kisha ta hapja derën, ndërsa burri ishte brenda në polici dhe burri ka ardhur në darkë, e kanë mbajtur 7-14 orë bashkë me nipin…Unë jam invanlide, nga shteti. Jam me Parkinson dhe Epileptike.Kërkova leje nga polici, “...të lutem shumë nuk kam marë ilaçet, më kaloi ora, mund ti thuash zotërisë të më marë çfarë do nga unë, se më ka sjellë këtu dhe të iki...”. Shkon ai polici, e njoftoi dhe më thotë që i thanë: “...jo të rrijë atje…”.Prita 1 orë, 2 orë dhe sa prita atje hëngra turinjtë dhe theva dhëmbët, theva gojën. Ka ardhur ambulanca, më ka marë ambulanca dhe nuk e di si kam qënë.Se kush e di vëlla si është çështja epileptike e di shumë mirë dhe më ka çuar ambulanca në shtëpi. Dhe e thërasin burrin në darkë, të shkonte të jepte kallëzim. E pse të shkonte të jepte kallëzim, që më lanë aty dhe theva turinjtë.Çfarë kisha bërë unë, kë kam vrarë, jam zënë me drogë, çfarë kam bërë…”-tregon Likoka.

E moshuara shprehet se do kërkojë nga SPAK dhe ligji hetim të thelluar për Jorgo Goron dhe Arqile Bollanon.

...Shtetit do ti kërkoj në SPAK, jo në SPAK, do ia kërkoj ligjit.Dua kullotën, kullotë dhe tokën buke, tokë buke. Se ato ligje që kërkoj, i ka shteti dhe ai të përgjigjet dhe të shkojnë që të gjithë në burg, se ka bërë falsifikime.Nuk jam as e para as e fundit vëlla, vjen në Himarë dhe të dalin të flasin, se nuk dolën kot dhe nuk i dhanë votën Jorgo Goros. Pse nuk ja dhanë votën Jorgo Goros?Se ishin të kënaqur nga ata, nga ai?Nuk jemi të kënaqur, i ka dhënë pasurinë e Himariotëve qën bir qënve. Kalamanjtë e mi, kanë mbaruar univesritetin dhe kanë ikur nxjerin bukën e gojës nëpër rrugët e Evropës.Ndërsa zotnitë që janë këtu, që vene, na qeshin kur dalin me policët vijnë të marin dhe pasuritë. Vijnë të ndërtojnë shtëpi këtu në shtëpi.Kjo është shtëpia dhe pasuri që në 1910 vëlla. Ja ku janë shtëpitë, është një shtëpi e banueshme dhe dy janë pa çati. Janë ndërtuar që në 1910 dhe Jorgo Gorua ka sjellë nga Tropoja, nuk e di nga janë o vëlla, nga Tropoja i ka sjellë këtu të marë pasurinë.Pse? Se neve nuk jemi të mirë të marin pasurinë tonë?Nuk ishim të mirë kur e nxorëm Jorgo Goron? Jam në proces gjyqësor dhe Jorgo Gorua i ka dhënë firmën zotnisë që të vijë në tokën e tija. Dhe mua më thotë mos kalo këtej se do të pres këmbët, se është pasuria ime…”-ka pohuar Filia Likoka.

Më tej kjo e fundit thotë se gjatë fazës së votimeve e ka mbështetur Jorgo Goron, duke e votuar. Madje dhe fëmijët e saj kanë ardhura nga Tirana dhe Amerika për të votuar pro Jorgo Goros.

“…Jorgo Gorua na shiti jo vetëm rrobat, por na shiti dhe këpucët, na ka lënë pa këpucë, pa shapka. Unë, që më shikon këtu kam sjellë nga Tirana dhe Amerika këtu, që ti jap votën Jorgo Goros.Dhe këtu Jorgo Gorua, ka sjellë hajdutër, ka bërë shkatërim këtu që nuk e mar me mënd, nuk e honeps dot…”.


Pritet që çifti Likoka brenda muajit korrik të thiren në SPAK për të dëshmuar.Ndërkohë hetimet për falsifikim dokumentash dhe pastrim parash janë shtrirë dhe tek Arqile Bollano dhe Oleg Goro.