Basha i jep mbështetje SPAK-ut pas arrestimit të Beqajt: Qytetarët shqiptarë presin drejtësi

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shpreh mbështetje për SPAK dhe e inkurajon të veprojë kundër korrupsionit në nivelet e larta.

“Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit. Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferave korruptive të qeverisë Rama, arroganca dhe babëzia e së cilës nuk kursen as fondet e BE-së”, theksoi Basha.

“Shpreh mbështetjen e plotë për SPAK dhe e inkurajoj të veprojë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, i cili është një kërcënim për integrimin e vendit në BE, mirëqenien, sigurinë tonë kombëtare, për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë presin drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë që drejtësia t’i shkojë deri në fund aferave korruptive”, nënvizoi Basha.