Bënin pazare me jetën e të sëmurëve me kancer, lihen në fuqi masat e sigurisë për të akuzuarit e Onkologjikut

Në gjykatë mjeku i Onkologjikut Edmond Gashi u paraqit me bindje se ka bërë vetëm detyrën. Pasi u njoh me masën arrest në shtëpi për shpërdorim detyrë iku fshehurazi e me vrap. 

Gjykata vendosi izolimin në shtëpi për tre të akuzuar për abuzimet me ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe për dërgimin e pacientëve në spital privat. Për 2 janë me detyrim paraqitje dhe për Drilona Kishtën komunikimi do ti bëhet pas kthimit në shqipëri

Revoltën ndaj akuzës e shprehu në medie mjekia Alketa Ymeri Pere, e cila theksoi se situata në onkologjik është më e rëndë, por se ajo nuk ka bërë shkelje. Akuzon se qëllimisht i janë keqpërdorur fotot.

Prokuroria e Tiranës tha se gjatë hetimit ka rezultuar se pacientëve që do të bënin radioterapinë u kërkohej të shkonin në klinikën private Megis, ku pronar rezulton vetë mjeku Edmond Gashi.

Shërbimi faktikisht duhet të jepet falas në QSUT, por edhe pse pajisja e kobaltit ishte e rregullt deklarohej se nuk punonte. Madje gjatë hetimit ka rezultuar se pajisja nuk ishte e vendosur në dhomën e duhur të izolimit duke përbërë rrezik për pacientet.

Në dosje evidentohet fakti se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh duke hartuar edhe një sërë rekomandimesh por që për rastin nuk ka pasur referim në prokurori.

Masat

-Edmond Gashi, mjek – “Arrest shtëpie” - Shpërdorim detyre
-Alketa Ymeri (Pere) mjeke – “Detyrim paraqitje”  Shpërdorim detyre
-Brikena Qirjazi zv.drejtoreshë e QSUT “Detyrim paraqitje”  Shpërdorim detyre
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut “Detyrim paraqitje”  Shpërdorim detyre
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë, “Detyrim Paraqitje”  Shpërdorim detyre
-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis – “Detyrim paraqitje”
-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie”, Fshehje e të ardhurave 

Prokuroria e Tiranës po heton skemën, përmes të cilës mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjykata ka miratuar kërkesën e organit të akuzës duke çuar para përgjegjësisë ligjore 8 persona, mjekë të spitalit Onkologjik në QSUT, kirurgë, ish zv/drejtoresha e përgjithshme e spitalit, Brikena Qirjazi dhe farmacistë. Hetimi i Prokurorisë arriti të zbulojë skemën se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjithashtu, ata dërgonin pacientët për kurim te spitalet private, ndërsa më herët kishin refuzuar t’iu jepnin shërbim në shtet duke nxjerrë alibi të tilla si pritjet dhe radhët e gjata, kur në realitet nuk rezultonin të tilla.

Në lidhje me ngjarjen në fjalë pati reagime të forta në opinionin publik, por dhe atë politik. Në rrjetet sociale vërshuan reagimet në lidhje me përgjimet që ‘fundosën’ punonjësit e këtij spitali, që bënin pazare hapur, madje dhe planet për pushime luksoze në Tajlandë apo Maldive.