Si e përfitoi Arben Ahmetaj vilën nga biznesmeni Edmond Bega
Prokuroria e Posaçme gjatë ushtrimit të kontrollit në banesën e shtetases Albina Mancka ka gjetur një dokument në të cilin përshkruhen të dhënat e njësisë në rrugën e “Bardhë”.
Shtetesja Albina Mançka gjatë kryerjes së kontrollit është munduar të zhdukë këtë dokument, i cili mesa konstatohet pasqyron mendimin dhe dëshirën për të porositur një vilë në rrugën “Bardhë”, në kompleksin “Green Coast”, nga ana e familjes Ahmetaj.
I pyetur me datë 17.03.2023, shtetasi Martin Gega, administrator resorti pranë “Balfin Real Estate and Hospitality” Green Coast, Palase, ka deklaruar: "... Rruga Bardhë është një ndër rrugët e Resortit, por nuk më kujtohet se ku, por po kontaktoj me një nga koordinatorët e resortit në mënyrë që t'iu përcjellë një master plan ku mund të evidentohet emri i rrugës...”
Nga aktet rezulton se me kontratën nr. 3100, rep nr. 1660 kol datë 16.08.2018, është lidhur kontrata e sipërmarrjes ndërmjet shoqërisë “Green Coast sh.p.k” dhe “Inerte Ekspres sh.p.k”, përfaqësuar nga shtetasi Mond Bega, me objekt ndërtimi i vilave me përshkrimin si vijon:
“Vila individuale nr. 72 me sip të përgjithshme 177.1 m2 dhe sip parcele prej 484.7 m2... si dhe vila individuale nr. 73, me sip të përgjithshme 177.1 m2 dhe sip parcele 482.7 m2, kundrejt çmimit!
Vila nr. 72 me vlerë 381 791 euro dhe Vila me or 73 ka si çmim 381 531 euro. Ky çmim sipas nenit 2 pika 2.3 do të paguhet me këste të përcaktuara si më poshtë:
çmimi total prej 763 322 euro do të paguhet brenda 12 muajve kalendarike brenda nënshkrimit të kësaj kontrate. Sipas pikës 2.5 të nenit 2 është parashikuar që nëse çmimi i shitjes nuk do të paguhet siç është përcaktuar në pikën 2.2, atëherë do të aplikohet një kamat vonesë prej 0.1 % e vlerës së këstit të papaguar për çdo ditë vonese.

Në rast se shkelja zgjat më shumë se 60 ditë, sipas pikës 2.64 nenit 2 të kontratës, do të aplikohet një kusht penaliteti i barabartë me 40 % e vlerës së paguar të çmimit.
Çmimi do të paguhet brenda 12 muajve kalendarike nga nënshkrimi i kësaj kontrate, tek llogaria bankare “Green Coast nr. 0001033797”, pranë një banke të nivelit të dytë”.
Shtetasi Arben Ahmetaj ka rezultuar nga hetimi se ka njohje me shtetasin Mond Bega. Të paktën nga të dhënat e sistemit TIMS rezultojnë disa lëvizje të përbashkëta.
Konkretisht, shtetasi Arben del nga territori i Republikës së Shqipërisë me datë 21.04.2018, ora 14.30 nga Aeroporti i Rinasit me linjën ajrore “Austria Airelines-OS 847/848 Viena” dhe po në këtë datë, në orën 14.39 edhe shtetasi Mond Bega del me të njëjtin fluturim.
Me datë 15.11.2018, ora 14.11 shtetasi Arben Ahmetaj del nga aeroporti i Rinasit me linjën ajrore “Austria Airlines - OS 847/848 Viena”, dhe po në këtë datë, në orën 14.33 ka dalë me të njëjtin fluturim edhe shtetasi Mond Bega.
Më datë 06.12.2018, ora 14.18 shtetasi Arben Ahmetaj del nga aeroporti i Rinasit me linjën ajrore “Austria Airlines - OS 847/848 Viena”, dhe po në këtë datë dhe në të njëjtën orë del edhe shtetasi Mond Bega.
Edhe në deklarimin e shtetases Elda Dinaj, kjo e fundit pranon se familja e shtetasit Arben ka njohje me shtetasin Mond Bega.



