Çeki, përplasen dy trena, katër të vdekur dhe mbi 20 të lënduar
Të paktën katër persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke.
Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan njoftoi se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje vonë në qytetin Pardubice rreth 100 kilometra në lindje të Pragës.
Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet. Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.
Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllet derisa autoritetet të përfundojmë hetimin e përplasjes.
"Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit", tha Kupka.
Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë që po shkonte për në qytetin Koshice, në pjesën lindore të Sllovakisë.
Zjarrfikësit arritën të zbulojnë identitetin e të gjithë pasagjerëve dhe sipas tyre të gjithë u gjendën.
Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e urgjencës të spitalit Pardubice.
Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.
Ndërkaq pronari i RegioJet, tha se kompania e tij ishte gati të kompensonte pasagjerët.
