Hapen sot zgjedhjet për PE: Forcim i skeptikëve dhe nacionalistëve, por jo shumicë
350 milionë qytetarë të BE-së votojnë nga sot e deri të dielën në zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian, të para si një test për elitat politike, mes sondazhesh që parashikojnë një forcim të skeptikëve të BE-së dhe nacionalistëve.
Ekstremi i djathtë mund të pësojë rritje në këto zgjedhje, shkruan Associated Press, ndërsa edhe qendra mund të anojë djathtas gjithashtu. Që prej zgjedhjeve të fundit europiane pesë vjet më parë, partitë populiste drejtojnë tashmë 3 qeveri europiane, janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në disa të tjera dhe vazhdojnë të shënojnë rritje në anketimet anembanë BE-së si kurrë më parë.
Vëzhgues të shumtë po ashtu bien dakord se me shumë gjasë, i gjithë lavjerrësi politik i bllokut ka të ngjarë të lëkundet drejt së djathtës pas zgjedhjeve.
Në sondazhin e pranverës të opinionit publik, BE-ja zbuloi se këtë herë interesi për zgjedhjet ishte rreth 60 për qind. Prandaj, pjesëmarrja në votime mund të rritet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për këto zgjedhje, të cilat shumë kampe politike i kanë shpallur “zgjedhje fati” apo “zgjedhje drejtimi”.
Sepse, statistikisht, rezulton se mesi i spektrit politik zakonisht përfiton nga pjesëmarrja e lartë. Në shumë vende, megjithatë, aktivistët janë të shqetësuar për rritjen e pritshme të numrit nga konservatorët e krahut të djathtë skeptikë ndaj BE-së deri tek radikalët e krahut të djathtë. Për këtë arsye, dhe kancelari gjerman Olaf Scholz lëshoi paralajmërime të errëta.
“Disa populistë kërkojnë që Gjermania të largohet nga Bashkimi Evropian. Të tjerë e shohin Rusinë e Putinit ose Kinën e Xi Jinping si modele për Evropën. E ka dhe të tillë që duan të shkatërrojnë BE-në – çfarë çmendurie vetëshkatërruese! Europa dhe BE-ja sigurojnë prosperitetin dhe të ardhmen tonë”, deklaroi ai. E djathta pritet të sigurojë vendin e parë sa i përket votuesve në Francë, Itali, Holandë, Belgjikë, Austri dhe Hungari.
Në Poloni, Gjermani e Suedi, partitë e krahut të djathtë mund të bëhen forca e dytë ose e tretë. Edhe pse numri i vendeve blu në sallën plenare të Parlamentit Europian për partitë e ekstremit të djathtë të rritet ndjeshëm nga 21 deri në 25 për qind, kjo megjithatë sërish nuk mjafton për shumicën vendimtare.
