Theri greken për 50 € dhe një palë vathë floriri, apeli rrëzon dënimin me burg përjetë për Roland Lulin

Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të prishë vendimin e shkallës së parë Korçë, që dënoi me burgim të përjetshëm të “fortin” e Maliqit, Taulant alias Roland Luli.

Vendimi që rrëzoi dënimin me burg të përjetshëm është dhënë pak ditë më parë, nga një trupë gjyqësor e kryesuar nga gjyqtari Dritan Hasani.

Trupi gjykues i Apelit të Përgjithshëm Tiranë, ka konstatuar mangësi në argumentimin e vendimit të shkallës së parë, duke sjellë kthimin e çështjes për rigjykim sërisht në gjykatën e Korçës, me një tjetër trup gjykues.

Pas këtij vendimi çështja kundër Roland Lulit do kthehet sërisht për gjykim.

Ndërkohë ndaj Lulit, ka dhe një vendim tjetër që e mban në burg. Ai është dënuar fillimisht nga dy shkallët e gjyqësor me 18 vite burgim për akuzën e “Trafikimit të të miturve”, “Mbajtjes të armëve dhe municioneve pa lejë” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Gazëtari i “Ora News” Elton Qyno, mëson se prej Korrikut 2019, Roland Luli, qëndron në burgun e Drenovës.

Taulant alias Roland Luli, është një person i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi dhe i arratisur në 22 mars 2013 nga burgu i Trikallasë.

Ai mundi të hyjë në teritorin shqiptar duke u angazhuar në krime të ndryshme, ku policia kriminale krijoi dyshime të forta se Luli vepronte dhe si vrasës me pagesë në Shqipëri apo si pjesë e bandës së grabitësve të udhëhequr nga Gramoz Murataj.

Luli, njihet në qarkun e Korçës si “i forti i Maliqit”, për shkak të shumë grabitjeve me armë që ka kryer në shtetin Helen dhe krimeve të tjera në zonën e banimit në Shqipëri.

Në momentin kur Luli është kapur nga agjentët e Policisë së Shtetit, atij i është sekuestruar në makinë një arsenal i madh me armë, si pistoletë me silenciator, granata dore dhe disa fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Për shkak të arrestimit në Shqipëri, autoritet Greke sollën në Shqipëri kërkesën për njohjen e vendimit penal të dënimit të tij me burg përjetë. Kjo kërkesë i është nënshtruar procesit gjyqësor në Korçë, duke sjellë njohjen e vendimit Grek dhe dënimin e Lulit me burgim të përjetshëm.

Por ky vendim u Apelua nga Roland Luli, duke bërë që Gjykata e Apelit Tiranë, të prishë vendimin e shkallës së parë dhe të kthejë dosjen për rigjykim.

Prej muajit korrik 2019 e në vijim, Roland Luli, ndodhet i izoluar në burgun e Drenovës në Korçë, pasi prokuroria e këtij qyteti, e ka arrestuar fillimisht për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, “Kultivim të lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim të vajzave minorene për prostitucion”.

Sipas dosjes së prokurorisë së Larisës, bëhet fjalë për 26 grabitje, ku në tre raste këto grabitje kanë sjellë jo vetëm vjedhjen e pasurisë, por edhe humbjen e jetës së tre shtetasve grekë.

Njerëzit që janë grabitur dhe më pas vrarë nga Roland Luli dhe bashkëpunëtori i tij Altin Ndreka dhe shtetasja greke Aikaterini Kalfadopoulou, quhen Astra Vasileiou, Evdokias Anagnostopoulou dhe Aristeas Katergari.

Sipas dosjes greke kjo e fundit është lidhur dhe më pas therur me thikë, vetëm për faktin se dy grabitësit shqiptarë Roland Luli dhe Altin Ndreka, nuk kishin çfarë të vidhnin në banesën e saj në Volos, ku në këtë rast kanë vjedhur vetëm 50 euro dhe një palë vathë floriri.

Egërsia e Lulit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, ka vijuar të shfaqet edhe në raste të tjera, ku përgjithësisht viktimat e tyre dhunoheshin barbarisht ose priteshin me thika.

Në pjesën më të madhe të rasteve banda e Lulit vepronte duke lidhur personat që ndodheshin vetë në banesë, ku në largim e sipër i mbyllnin dhe gojën me natriban, duke sjellë dhe vdekjen e ngadaltë të personave.

Policia e Larisës, ka mundur të lokalizojë dhe arrestojë Lulin, duke e dënuar me tre burgime të përjetshme dhe më pas izoluar në burgun e Trikalasë.

Por dënimin me burg përjetë Luli nuk e ka kryer për shkak se në mars të 2013 Luli ka mundur të arratiset nga burgu dhe të gjejë strehim në qytetin e Korçës.