I dhuroi Leverkusenit Kupën e Gjermanisë, Xhaka: Sezon i paharrueshëm, do të kujtohemi gjatë

Bayer Leverkusen “pushton” totalisht Gjermaninë.

Pas triumfit historik në Bundesligë, ku nuk njohu asnjë disfatë gjatë 34 javëve, ata në të njëjtën mënyrë fituan edhe Kupën.

Goli i mesfushorit Granit Xhaka nga distanca rezultoi vendimtar në minutën e 16-të.

U mendua se humbja në finales e Europa Ligës do të sillte pasoja në takimin kundër Kaizerslautern, por nuk ndodhi kështu.

Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, Kaizerslautern ka të njëjtën numër Kupash sikurse “Aspirinat”, dy të tilla.

“Arkitekti” Xabi Alonso i qëndroi besnik rreshtimit 3-4-2-1, ndërsa mesfushori Granit Xhaka u pozicionua në qendër të mesfushës.

Pikërisht futbollisti me origjinë kosovare “magjepsi” prapavijën e ngjeshur të Kaizerslautern në minutën e 16-të përmes goditjes nga jashtë zone, e cila ishte e pakapshme për portierin rival.

Pak momente përpara mbylljes së pjesës së parë, Kosunua u ndëshkua me karton të kuq, por “Aspirinat” e menaxhuan mirë pjesën e mbetur të lojës, duke e mbyllur sezonin 2023-2024 me dopjetë trofesh.

“Fundi perfekt i sezonit të parë në ekipin e Bayer Leverkusen.

Etapë e paharrueshme.

Ne ia dolëm të fitonim Bundesligën, tashmë e kishte radhën Kupa.

E kemi mbyllur të pamposhtur në këto dy kompeticione.

Kujtim i mahnitshëm, i cili do të mbahet mend gjatë jo vetëm nga tifozët tanë. Faleminderit mbështetësve të Leverkusenit.

Shihemi në etapën tjetër”, përfundoi mesazhin në rrjetet sociale Granit Xhaka.