Vllaznia nis spastrimet, zyrtarizohet largimi i sulmuesit brazilian

Pas dështimit në “Final 4”, Vllaznia ka nisur nga puna për përgatitjen e skuadrës me të cilën do të përfaqësohet në kompeticionet europiane, por edhe në sezonin e ardhshëm të Kategorisë Superiore.

Kështu drejtuesit kuqeblu kanë nisur rinovimet me futbollistët që janë në planet e trajnerit Brdaric, por po u komunikojnë largimin edhe atyre që nuk do të jenë më pjesë e skuadrës për sezonin e ri.

Bruno Gomes është i pari që largohet nga kuqeblutë, me sulmuesin brazilian që kishte kontratë deri në fund të këtij sezoni dhe të Shkodër nuk e panë të arsyeshme t’i ofrojnë rinovimin.

Klubi i Vllaznisë ka bërë me dije se 27-vjeçari është larguar zyrtarisht nga ekipi, pas një sezoni ku luajti në total 18 ndeshje me skuadrën e parë, duke shënuar 3 gola dhe dhënë një asist, si dhe 4 ndeshje me Vllazninë U21, ku shënoi 5 gola.

Megjithatë këto shifra nuk mjaftuan që Gomes të bindë drejtuesit dhe trajnerin Brdaric, ndaj edhe ka lënë Shkodrën për t’u rikthyer të paktën përkohësisht në vendlindjen e tij, Brazil.