HUMMELS DREJT ITALISË/ Milan e Juventus në garë për mbrojtësin e Dortmund

Mbrojtësi gjerman i Dortmundit, Mat Hummels pritet të largohet nga skuadra këtë verë. Destinacion i mundshëm i 35-vjeçarit mund të jetë Italia, me Milanin dhe Juventusin që kanë shfaqur interesim për të.

Legjenda e Dortmund-it, mbrojtësi dhe kapiteni Mats Hummels, pritet që të largohet nga klubi këtë verë, duke mbyllur kështu aventurën disa vjeçare me verdhezinjtë.

Destinacioni i tij i ardhshëm, për të vijuar karrierën pritet të jetë Italia, aty ku dy klube të mëdha të Seria A kanë shfaqur interesim për të siguruar shërbimet e gjermanit.

Sipas gazetës gjermane ‘Bild’, e ardhmja e Hummels nuk është vendosur ende, pasi ekziston mundësia që ai të tërhiqet përfundimish nga futbolli i luajtur, të rinovojë me Dortmund-in apo të largohet në drejtim të një ekipi tjetër.

Pavarësisht kësaj, prestigjiozja gjermane raporton se Milani dhe Juventusi janë garë me njëri-tjetrin, teksa kanë shprehur interesim të madh për qendër-mbrojtësin, pasi kërkojnë të përforcojnë skuadrat e tyre për sezonin e ardhshëm, në kërkim të titullit në Itali.

35-vjeçari ka qenë njëri ndër qendër-mbrojtësit më konsistent gjatë dekadës së fundit dhe ka shkëlqyer me paraqitjet e tij tek Dortmundi dhe Bajerni i Mynihut, përgjatë këtyre viteve.

Kontrata e tij me verdhezinjtë do të skadojë në fundin e këtij sezoni dhe ende nuk është konfirmuar se çfarë premton e ardhmja e tij.

Kampioni i Botës në 2014 do të duhet të presë deri pas përfundimit të finales së Ligës së Kampionëve, ndaj Real Madrid-it, për të marrë vendimin përfundimtar dhe rezultati mund të luajë një rol të madh në atë se çfarë premton e ardhmja për të.