Agaçi në SPAK, Berisha: Turp! Thirret pas 4 vitesh njeriu që ka mbledhur për djegësin 17 firma në 24 orë. Vetëm Arben Maloku, zyrtari i Veliajt, ka vjedhur 38 mln euro
Pas thirrjes në SPAK të Engjëll Agaçit, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestën poshte banesës ku ai qëndron i izoluar që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK-ut se ka thirrur pas 4 vitesh, njeriun që mblodhi 17 firma brenda 24 orësh për inceneratorin e Tiranës.
Në fjalën e tij në tubimin qytetar, lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi Agaçin si “Sekretari i Përgjithshëm i mafies në Ballkan, është personi që i dhuroi McGonigalit italian, gjeneral Lisit, 30 hektarë tokë”.
Berisha ka publikuar skandalin e radhës së qeverisë “Rama”, ku tha se “Malaveci i përmbaruesve kishte akses në të dhënat e TIMS! Ia kishte dhënë Balla dhe Rrumbullaku kundrejt milionave”.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS
Miqtë e mi, në të katër anët e vendit bien sirenat e krimit, sirenat e hajnisë, sirenat e varfërisë dhe mjerimit të shqiptarëve.
Sot, njëri nga eksponentët më mafiozë, më të zi të pushtetit, Don Agaçio Dhuratmadhi, pas protestave tuaja të fuqishme, u thirr në Skrapin e partisë.
T’i drejtojmë një pyetje Altin Zamanit: po nuk ke turp mo që e thërret pas katër vitesh njeriun që ka mbledhur për djegësin 17 firma në 24 orë?
Njeriun, mafiozin që si kurrë në historinë e këtij shteti, ka nxjerrë 9 vendime në 8 orë, për vendimin e djegësit.
I ka publikuar të nesërmen në Fletoren Zyrtare sikur të ishte emergjenca e të gjitha emergjencave.
Ky është një mafioz i zi, i cili ka firmën e tij mbi prokurimin e ndaluar me ligj, prokurimin me negociata të mbyllura.
Është mafiozi Agaçio që pasi me shkrim i thuhet nga drejtori i prokurimeve se prokurimet me negociata të mbyllura janë të ndaluara, janë jolegjitime, firmos për prokurimin me negociata të mbyllura pa asnjë rival, por vetëm me kompaninë e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Zamani, ky produkt krimi, në vend që ta mbante aty, ta çonte te 313-a, i thotë se të thirra si person që ke dijeni, një krimineli i cili me porosi të bosit të tij mafioz, Edi Ramës, firmosi për t’i dhënë 8 pikë, një kompanie që nuk kishte pronar, nuk kishte menaxher, nuk kishte seli, që nuk ishte e regjistruar kund mbi dhe, por që mbi të gjitha mafiozin Agaçio e kishte njoftuar me shkrim një ministre.
Pra, kalojnë 4 vjet dhe vetëm pas katër vitesh, Dumani i krimit e thërret ‘na fal se të ftuam si person në hetim’. Një mafioz i bërë i famshëm tani në analet e mafies italiane.
Po Agaçi është një nga hajdutët më të zi të këtij vendi.
Vjedhjet e tij me naftën në bordin e ARMO-s, aktet e tij kriminale i paguajnë sot banorët e Mallakastrës me falimentimin kriminal të uzinës së prodhimit të naftës.
Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i mafies në Ballkan, është personi që i dhuroi McGonigalit italian, gjeneral Lisit, 30 hektarë tokë.
Ky mafioz e ka vendin vetëm në burg. Ky është turpi dhe krimi i vërtetë.
Miqtë e mi, dje në Komisionin e Hetimit të TIMS-it ka ndodhur një moment që nuk e ka njohur ndonjëherë në 33 vite parlamenti shqiptar.
Dje, kur në komision u thirr krimineli, mafiozi Malaveci, shefi i përmbaruesve mizorë, që u vodhën shtëpi, katandi qytetarëve, trafikanti i damkosur i drogës, që paguan Ulsi Manjën për ta mbajtur në detyrë në kundërshtim me ligjin, i dënuar 4 vite në Holandë, i paraqitur në komision, Linda e parlamentit ndërpreu të gjitha sinjalet televizive të medieve, kur ky mafioz do të dëshmonte para komisionit.
A e dini ju sepse o miq? Sepse Malaveci i mafies ndërkombëtare, Malaveci i trafiqeve ndërkombëtare, kishte akses, kishte hyrje në shtëpinë e tij në të dhënat më sekrete të shtetit, ato të TIMS-it.
Ndërkohë, deputetëve u thuhej se nuk keni certifikatë sigurie, ndaj nuk flasin dot haptas.
Malavecit i ishin dhënë të gjitha të dhënat kundrejt drogës, kundrejt miliona eurove shpërblim nga Rrumbullaku dhe Taulant Balla në shtëpinë e tij.
Ky është shteti i krimit miq, dhe shpresa e vetme jeni ju. Shpresa e vetme janë qytetarët në protestë.
Të dashur miq, Altin Dumani, kreu i organizatës kriminale që quhet Skrap, do të hyjë në Gines si sharlatani më i madh në luftën kundër krimit.
Ky kriminel pasi u mor dhe shiti të dhënat, dëshmitë e kushëririt të tij seria killer, dje bëri bllofin e radhës. Deklaroi se ka prerë 50 urdhër-arreste.
Miq, ky sharlatan është për analet e turpit të historisë. Asnjë i arrestuar në 50 urdhra të lëshuar. Ky është operacioni i turpshëm i Taulant Ballës dhe Altin Krimit.
Miqtë e mi, cilido që ka lexuar dosjen Metamorfoza, aty shkruhet e zezë mbi të bardhë se baroni i drogës, investitori strategjik i Edi Ramës, Kolomboja i Taulant Ballës, eliminoi Bardhok Pllanën me Bajrët.
Jo vetëm kaq, por aty shkruhet se Arben Ndoka na dha ndihmë të çmuar duke nxjerrë në pritë viktimën e tyre.
E kam ndjekur me shumë vëmendje, isha i sigurt se Altin Dumani do merrte qesen e parave dhe do njoftonte Arben Ndokën t’ia mbathte nga Shqipëria.
Arben Ndoka sot është në Dubai, kurse Altin Dumani është në turpin e tij në zyrën e shtetit.
Miqtë e mi, të gjitha këto tregojnë se beteja jonë është e vetmja shpresë për shqiptarët.
Se krimi shtetëror po shkatërron çdo ditë e më shumë qenien e këtij kombi.
Se këta kriminelë të shtetit, që paguhen miliona e miliona lekë rroga, këta janë armiqtë më të egër të qytetarëve. Më të egër se armiqtë e shpellave, se armiqtë e bodrumeve. Më të rrezikshëm se çdo mafie tjetër.
Erion Veliaj vazhdon dhe u bën karshillëk qytetarëve. Hajduti i modelit të vjedhjes 100 përqind. Vetëm një punonjës i tij tek 5D ka dalë 37 milionë të vjedhura.
Këto ditë doli Arben Maloku, zyrtari i tij, që vetëm ai kishte vjedhur 38 milionë euro nga paratë e Bashkisë së Tiranës. Të gjitha këto miq na ftojnë për sakrifica.
Na ftojnë të marrim fatin në duart tona. Na ftojnë me çdo çmim të çlirojmë Bashkinë e Tiranës. Na ftojnë të gatshëm për çdo sakrificë, të shkojmë drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të reja, fitores së opozitës.
Edhe njëherë, përshëndetjet më të përzemërta. Edhe njëherë, ditën e martë, në ora 11.00, e gjithë Tirana te bashkia, të nxjerrim nga zverku Erion Velinë, të pastrojmë bashkinë. Rrofshi ju, rrofshi Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!





