“Shëndetësia”, PS: Të shtrihen hetimet nga 2009-a. Spaho: Strategji për dështimin e komisionit
Po mbahet mbledhja e komisionit hetimor për koncesionet e sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi.
Nënkryetari i Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi, Plarent Ndreca deklaroi në mbledhjen e sotme të këtij komisioni hetimor duhet ta shtrijë periudhën për kontratën e shërbimit të sterilizimit prej vitit 2009.
"Ne vlerësojmë që kontrata e sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate. Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata.
Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës", deklaroi Ndreca
Deputeti Edmond Spaho u shpreh kundër një propozimi të tillë, duke e quajtur strategji për të vështirësuar punën e komisionit.
“Në rastin e CEZ kërkuam komision për rishtetëzimin e CEZ. U ngrit komisioni dhe hetoi. Të bashkojmë dy gjëra që nuk lidhet më duket si strategji për të shtyrë në kalantat greke punë e komisionit.
Sa kohë ka një vendim të kuvendit që janë këto dy kontrata, nuk kemi pse të përzihemi me gjëra të tjera. Në cilin rast ka ndodhur të përzihen mollët me qepët?”, tha ai.

