“Gërdeci”, debate në GJKKO mes palëve në seancë. Mediu: Procesi është politik, të hapen dyert për kamerat

Në seancën e kësaj të mërkurë për çështjen “Gërdeci”, u debatua për akt ekspertimin ekonomiko-financiar.

Mbrojtja e ish ministrit Fatmir Mediu u shpreh se ekspertet janë caktuar në mënyrë të njëanshme nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion dhe se ekspertët janë në kushte papajtueshmërie për të kryer aktin e ekspertimit.

Ekspertët janë nga KLSH, Ministria e Drejtësise dhe nga Ministria e Financave.

Sipas avokatit Ligori, pyetjet drejtuar ekspertëve janë tërësisht juridike. Pjesa më e madhe e pyetjeve kanë natyrë juridike, jo teknike.

Ligori: “Është absurde të japin ekspertët përgjigje juridike. Kompetente është prokuroria dhe gjykata në këtë fushë, jo ekspertët. Kërkojmë kryerjen e një riekspertimi kontabël me 3 ekspertë të fushës. Asnjë nga ekspertët nuk kishte licencë”.

Në seancën e sotme foli edhe ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili tha se për 16 vite me radhë e akuzuan se e përzgjodhi ai Gërdecin, ndërkohë në këte gjyq, u faktua se një gjë e tillë ishte e pavërtetë.

Mediu: “Kjo është e qëllimshme për të mbajtur gjallë një proces politik. Pa asnjë hezitim mora përgjegjësinë morale, nuk u fsheha, nuk u largova dhe hoqa dorë nga mandati. Kërkoj që ky gjyq të bëhet live me kamera, që ta shikojnë të gjithë shqiptarët”.

Në seancë pati edhe debate mes Mediut dhe familjes Durda.

PJESË NGA DEBATI:

Durda: Mos na ofendo, nuk ke turp.

Visha: Nxirreni jashtë.

Mediu: Kam të drejtën të marr fjalën

Durda: E ka fajin prokuroria që nuk të ngre akuzën e vrasjes.

Visha: Nuk mund të dëgjojmë tallava dhe ofendime në mënyrë barbare.

Durda: Turp të të vije.

Visha: Sme vjen turp nga ju. Jasht nga salla. SUS të dy.

Feruzani: Mos më thuaj SUS mua.

Prokuroria e Posaçme kërkoi mospranimin e kërkesës që parashtruan avokatët dhe ish ministri i mbrojtjes.

Braho: “Mund të thërrasin ekspertët në seancë për t’i marrë në pyetje, nuk kemi kundërshtime”.

Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi, ku më pas do vendosë pranimin ose rrëzimin e kërkesës së avokatëve për riekspertim.