FOTO - LAJMI/ Ky është Aleks Marku që bëri “luftë” me RENEA-n në Durrës, dyshohet se ishte nën efektin e ...
Personi që shihni në foto është Aleks Marku, babai i cili hapi zjarr ndaj forcave RENEA nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur.
Pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët, dhe gjithashtu vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov.
Siaps policisë Marku nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal dhe sipas burimeve bashkëshortja e tij është kthyer ditën e djeshme nga jashtë vendit, ndërsa prej pak ditësh ai ishte zhvendosur në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” me dy fëmijët e mitur
Ndërkaq besohet se ishte nën efektin drogës dhe në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa banesën e kishte marrë me qira për 1 javë me Durrës.
Në deklarimet paraprake 40-vjeçari është shprehur se i ka marrë fëmijët për t’i mbrojtur, ndërsa policia po verifikon nëse ka pasur konflikte me bashkëshorten e tij gjë që e kanë ccuar Markun në ndërmarrjen e një akti të tillë.
JA ÇFARË NDODHI SOT NË DURRËS
Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç.
Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Gjithashtu, Policia nxori të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.
40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.
Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.



