Bologna njofton kualifikimin historik në Champions League

Ishte një ndër befasitë më të bukura të sezonit, me futbollin ofensiv që aplikuan nën udhëheqjen e trajnerit Thiago Motta.

Bologna zyrtarisht ka siguruar kualifikimin në Champions League për vitin e ardhshëm, pasi gjenden në vendin e tretë me 67 pikë të grumbulluara.

Gjatë kësaj fundjave, Bologna arriti që të merrte një fitore me rezultatin 2-0 në transfertë ndaj Napolit, falë golave të shënuar nga Dan Ndoye dhe Stefan Posch.


Të udhëhequr nga Thiago Motta jashtë vijave dhe me një lider si Joshua Zirkzee në fushë i cili ka qenë ‘makineri’ e golave këtë sezon, Bologna tashmë ka bërë realitet ëndrrën e kualifikimit në garën më prestigjioze për klube në Europë.

Megjithatë, kjo formë e shkëlqyer e tyre këtë sezon mund të bëjë që ata të mbesin pa shërbimet e Thiago Mottës sezonin e ardhshëm, pasi për të kanë shprehur interesim  disa klube anembanë Europës.

Një ndër klubet që po përmendet si kandidat kryesor për të siguruar shërbimet e teknikut italian është Juventusi, megjithëse mbetet të shihet gjatë javëve dhe muajve në vazhdim nëse do të realizohet përfundimisht marrëveshja.