Gjysmëfinalet e “Final 4”, statistikat mes skuadrave
Egnatia-Vllaznia dhe Partizani-Skënderbeu, është ky verdikti i shortit të Final 4, miniturneut që vendos kampionin e ri të Shqipërisë.
Sipas skemës që aplikohet për herë të parë në vendin tonë.
Sfida interesante në gjysmëfinale, me ndërthurje intriguese mes 4 skuadrave më të mira të fazës së rregullt.
Egnatia-Vllaznia, sfidë që do të luhet në datën 19 maj për shkak të impenjimit të skuadrës rrogozhinase në finalen e Kupës së Shqipërisë këtë të martë, mund të konsiderohet pa frikë si një finale e parakohshme.
Egnatian ka komanduar që në javët e para kampionatin që e mbylli si kryesuese, teksa ekipi shkodran humbi vendin e dytë vetëm dy javë para fundit.
Skuadra nga Rrogozhina tanimë ka dhe avantazhin e dy rezultateve, pasi i mjafton një barazim në kohën e rregullt për të prekur finalen.
Interesant fakti se të dyja skuadrat këtë sezon janë përballur plot 6 herë mes tyre.
Në katër sfidat e kampionatit bilanci është në ekuilibër: dy fitore të Egnatias, po kaq të Vllaznisë dhe një barazim.
Për t’u evidentuar është dhe fakti se në gjysmëfinalet e Kupës, skuadra e Edlir Tetovës kaloi pikërisht Vllazninë.
Falë fitores 1-0 në shtëpi dhe barazimit 1-1 në “Loro Boriçi”.
Për kampionët në fuqi të Partizanit, rruga drejt mbrojtjes së titullit kalon nga përballja me Skënderbeun, skuadrën surprizë të këtij sezoni.
Që me një buxhet modest la pas rivalë të fortë për t’u pozicionuar në vendin e katërt.
Tejet interesant është fakti se pavarësisht statusit të favoritit, edhe pse i mjafton edhe barazimi në takimin që do të luhet në 17 maj, Partizani përballet me skuadrën ndaj të cilës ka hasur më tepër vështirësi në sezonin e rregullt.
“Demat” morën vetëm një fitore ndaj formacionit korçar këtë sezon, 3 javë para fundit të kampionatit.
Me Skënderbeun që kishte fituar dy nga përballjet e mëparshme, duke sigluar dhe një barazim.
Skuadra e Gvozdenovic ka një bilanc pozitiv ndaj të kuqve këtë sezon, një motiv më tepër për të patur më shumë besim te gjysmëfinalja e 17 majit.
Dy gjysmëfinalet dhe finalja e madhe e 26 majit, do të luhen në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
