Edhe i vëllai, "vrasës"/ Vrau efektivin në Fier, autori në drejtim të paditur, policia: 30 mijë euro për këdo që jep informacion

Vijojnë të dalin në dritë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Fier mesditën e kësaj të hëne ku efektivi i forcave “Shqiponja” Novruz Cenalia, mbeti i vrarë me armë zjarri nga Asllan Mernica alias Azgan Mernica,

Për ngjarjen policia ka vendosur një dëmshpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që siguron informacion të vlefshëm për kapjen e tij.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.

Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, njofton policia.

EDHE VËLLAI, VRASËS

Autori i ekzekutimit të efektivit në Fier mësohet se është vëllai i një të dënuari me 19 vite burg për vrasje.

Ngjarja ku është përfshirë vëllai i Asllan Azgan Mernicës ka ndodhur më 13 gusht të vitit 2019 në Fier.

Kiri Mernica dyshohet se në bashkëpunim me e Sadri Selaci masakruan me thikë të riun Florian Selimi dhe më pas trupin e tij e hodhën në një kanal ku u gjet pas disa orësh kërkime.

Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci.

23-vjeçari Florian Selimi ishte goditur me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr për disa metra nga vendngjarja. Sipas Policisë, vrasja është kryer më datë 11 gusht, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është gjetur mëngjesin e 12 gushtit në një kanal.