“Rasti i Vllaznisë, më keq se një shit-blerje ndeshjeje” - Reçi: Edhe skemës se “Final Four” iu gjet çelësi për makinacione
Ish-futbollisti i Tiranës Mired Reçi i ftuar në emisionin “Ora Sport” në “Ora News” u shpreh i zhgënjyer nga rezultatet që prodhoi java e fundit e kampionatit shqiptar.
“Në fakt nuk jam i mërzitur për Tiranën, por jam i mërzitur që edhe skemës së re të kampionatit iu gjet çelësi. Ne shqiptarët e kemi për zakon që e gjejmë gjithmonë një ingranazh për të prishur garën dhe për të bërë që gjithçka të shumohet në fund”, u shpreh Reçi.
Ai nuk i kurseu akuzat edhe për vetë Federatën.
“Sa i përket renditjes, kampionati kishte marrë një rrjedhë goxha interesante. Unë vazhdoj të jem i mendimit që ajo nuk është skema e duhur për kampionatin shqiptar.
Javën e fundit, kampionatin për fat të keq e zbehu një skuadër si Vllaznia. Luajti me një ekip moshash dhe nuk kishte arsye t’i ruante lojtarët. Këtu ka gisht dhe Federata, e cila nuk mund t’i lërë të bëjnë sipas mendjes së vet.
Në këtë rast ishte një shfaqje shumë e shëmtur, kjo është më keq se një rast shit-blerje ndeshjeje, ku bëhet cik me stil. Ndërsa kjo kishte 3 javë që ishte paralajmëruar”, theksoi Mired Reçi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTE

