1 muaj e tre ditë izolim në “41 biz”/ Anterio Kaloshi kundërshton Ulsi Manjën në GJKKO. Kërkon transferim në Burrel

Anterio Kaloshi, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar daljen nga regjimi i posaçëm “41 bis” në burgun e Peqinit.

Për më shumë se 1 muaj e tre ditë, Kaloshi po mbahet i izoluar në këtë regjim të rreptë burgimi, pasi informacionet e çuara në drejtim të ministrit të Drejtësisë, kanë konstatuar se i dënuari ka shkelur një seri procedurash që bien ndesh me rregullat e brendshme në burgje dhe vuajtjen e dënimit penal.

Nisur nga kjo situatë ministri Ulsi Manja, me urdhrin nr. 127, të datës 2 Prill 2024, ka urdhëruar drejtorinë e burgjeve të izolojë Kaloshin në regjimin e posaçëm.

Kaloshi është transferuar nga burgu i sigurisë së lartë të Burrelit në drejtim të burgut të Peqinit, aty ku është ndërtuar dhe regjimi “41 biz”.

Të gjithë të dënuarit që i nënshtrohet këtij regjimi izolimi transferohen në Peqin, pasi ambientet e tjera të këtij regjimi të ngritura në paraburgimin “313 Jordan Misja” në Tiranë, janë vënë në dispozicion të bashkëpunëtorëve të prokurorisë SPAK, të cilët presin të dëshmojnë në gjykatë krimet dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Pritet që këtë javë në GJKKO të zhvillohet séance e parë e ballafaqimit të palëve, ku Anterio Kaloshi, kërkon shfuqizimin e urdhrit të ministrit Manja dhe kthimin e tij në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Burrel, aty ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.