Kuvendi miraton marrëveshjen për hapjen e Kolegjit të Evropës, Manastirliu: Ngjarje historike për arsimin e lartë shqiptar

Kuvendi ratifikoi me 96 vota pro marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”.

Kjo marrëveshje i hap rrugë çeljes së Kolegjit të Europës, Kampusit të Tiranës, në vitin akademik 2024-2025 për 31 të rinj, që janë pranuar dhe që do të nisin studimet pasuniversitare, me programin e studimit: “Transformimi dhe Integrimi Europian: Bashkimi Europian dhe Europa Juglindore.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se hapja e Kolegjit të Europës në Tiranë, për arsimin shqiptar është një ngjarje historike, sepse sipas saj, hap një kapitull të ri në rrugën e nisur tashmë drejt ndërkombëtarizimit të arsimit duke ofruar një mundësi unike për të rinjtë, duke sjellë Europën këtu, e duke krijuar një qendër graviteti për Ballkanin.

Hapja e këtij Kolegjit, theksoi ajo gjatë prezantimit në Parlament të marrëveshjes për ratifikim, do të mbledhë jo vetëm personalitetet më në zë të politikës europiane, Komisionit Europian, profesorë të shquar në çështjet e integrimit të BE, por edhe studentë e profesionistë të rinj nga Europa dhe më gjerë.

“Kjo është një ngjarje e cila konfirmon besimin se Shqipëria është një vend i denjë europian për të pritur institucione ndërkombëtare të niveleve elitare akademike”, shtoi ministrja.

Janë në fakt, theksoi ajo, edhe një shëmbëlltyrë e vizionit tonë për dimensionin europian që duam ti japim arsimit.

“Aq e vërtet është kjo sa që në thirrjen e parë për vitin akademik 2024-2025 të Kolegjit të Europës, numri i aplikimeve nga BE, vendet e rajonit e Shqipëria arriti në 241”, informoi Manastirliu.

Ministrja vuri në dukje se programet e studimit që do të ofrohen nga dega e Kolegjit kanë të njëjtat standarde me ato që zhvillohen në Kolegjin e Brugge-s dhe Natolin (Varshavë), nën mbikëqyrjen e Këshillit Akademik të Kolegjit dhe akredituar nga Organizata e Akreditimit të Holandës dhe Flanders (NVAO).

“Kjo marrëveshje i hap rrugë çeljes së Kolegjit të Europës, Kampusit të Tiranës, në vitin akademik 2024-2025 për 31 të rinj që janë pranuar dhe që do të nisin studimet pasuniversitare, me programin e studimit: “Transformimi dhe Integrimi Europian: Bashkimi Europian dhe Europa Juglindore. Qeveria shqiptare do të investojë për ngritjen e Kampusit të ri të Kolegjit si dhe do të ofrojë deri në 5 bursa në vit”, tha ministrja Manastirliu.

Sipas saj, hapja e degës së Kolegjit të Evropës Kampusi i Tiranës, tregon mbështetjen e institucioneve të BE, Komisionit Europian për vizionin dhe punën e bërë nga qeveria shqiptare në rrugën e integrimit europian, të stabilitetit ekonomik dhe social, e reformave të ndërmarra në të gjithë sektorët dhe patjetër edhe në arsim”.

Kolegji i Evropës, Kampusi i Tiranës hapet këtë vit akademik me 31 studentë që janë përzgjedhur nga Kolegji i Evropës ndërmjet mbi 240 aplikantëve dhe të vijojë për vitin e dytë me 50 studentë e më tej, do të zgjerohet në vitet në vijim edhe falë investimeve që parashikohen nga qeveria shqiptare për ndërtimin e Kampusit të ri në Tiranë.

Në nisjen e funksionimit të Kolegjit të Evropës, ai do të vendoset në Godinën “Liria’ të Universitetit të Tiranës, ku do të ofrohet e gjithë infrastruktura e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe gjithashtu do të investojmë për ngritjen e kampusit të këtij kolegji.

Kolegji i Europës hap një horizont të ri edukimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin një nga institucionet ekselente të arsimit që ofron një program të thelluar për vetë Bashkimin Evropian dhe rrugëtimin drejt tij.

Ministrja Manastirliu foli gjithashtu edhe për projekte të reja në fushën e ndërkombëtarizimit të Universiteteve, siç është firmosja e marrëveshjes për reformimin e Universitetin e Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës,si dhe hapjen e Universitetit publik UNED të Spanjës, si pjesë e programit të ndërkombëtarizimit të universiteteve për zgjerimin dhe cilësinë e ofertës akademike shqiptare.

Votimet e sotme

Kuvendi miraton marrëveshjen për hapjen e Kolegjit të

Në seancën plenare të radhës me 71 vota pro Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin, “Për prefektin e qarkut”, përmes së cilave rritet eficenca dhe konsolidohet performanca e institucionit të Prefektit në ofrimin e shërbimeve më cilësore.

Në seancën e sotme u votuan me 72 vota pro edhe ndryshimet në ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” përmes së cilave synohet rritja e meritokracisë, barazisë dhe efektivitetit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si disa nga shtyllat kryesore në të cilat mbështetet kjo forcë.

Ndryshimet në ligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, u miratuan me 72 vota pro. Objektivi i ndryshimeve ligjore është sigurimi i shërbimit të përkthimit zyrtar edhe për ato gjuhë për të cilat ky shërbim nuk mund të ofrohet për shkak se deri më tani nuk ka përkthyes zyrtar të certifikuar.

Projektligji parashikon një mekanizëm të ri në rastet kur mungojnë përkthyes zyrtarë, ku për nevoja të ushtrimit të kompetencave të ministrisë apo organeve që ligji u ka njohur të drejtën për përkthim zyrtar, ata të mund të kërkojnë ndihmën e misioneve diplomatike ose posteve konsullore, organizatave ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë ose institucioneve të Bashkimit Evropian, ose autoriteteve të tjera të huaja.