Nesër protestë te Bashkia, Zhulali: S’është çështje e opozitës, por e qytetarëve! Aksion për transparencë e llogaridhënie
Opozita do të zhvillojë ditën e nesërme në orën 11:00 protestën e dytë para Bashkisë së Tiranës, ku sërish do të kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të bashkisë, protestë kjo e nxitur nga arrestimet e një sërë drejtorësh dhe zyrtarësh të kësaj bashkie të kapur në skandalin e korrupsionit me kompaninë “5D”.
Për këtë e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte anëtarja e opozitës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, e cila e cilësoi këtë aksion të opozitës si një aksion për transparencë e llogaridhënie.
“Po shpërfillen kërkesat e opozitës nga Erion Veliaj, dhe kështu vazhdon që nga dita e emërimit të tij. ai nuk ka dhënë asnjë llogari lidhur me taksat që paguajnë qytetarët e Tiranës. Dhe z. Veliaj refuzon të bëjë transparente mënyrën se si ai i shpenzon paratë e Bashkisë”, theksoi Zhulali

