FLUTURIME DIREKTE AMSTERDAM-SHQIPËRI/ Në Rinas mbërrin linja ajrore “Transavia”
Qytetarët shqiptarë do te mund të udhëtojnë direkt drejt Amsterdamit, falë fillimit të operimit të linjës ajore të mirënjohur Transavia.
Me nisjen e fluturimeve në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës u zhvillua një ceremoni mirëseardhjeje.
Marsel De Noi, Drejtori i Përgjithshëm i “Transavia, u shpreh se ky bashkëpunim ka shfaqur potencial të madh të pasagjerëve.
Marsel De Noi: “Në shikojmë një të ardhme të shkëlqyer dhe një bashkëpunim shumë të frytshëm me aeroportin e Tiranës. Ne kemi nisur me tre fluturime drejt Tiranës në javë, e cila shfaq një potencial të madh të pasagjerëve”.
Pier Vittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, falënderoi kompaninë “Transavia” për bashkëpunimin.
Pier Vittorio Farabbi: “Ky aeroport është një nga qendrat më të rëndësishme në Evropë. Shpresojmë që kjo linjë e re të hapë mundësi për më shumë turistë për të eksploruar Shqipërinë”.
Një faktor i rëndësishëm në zgjerimin e kapaciteteve të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës lidhet dhe me vizionin dhe investimet e “Kastrati Group”.
Ambasadori i Holandës në Shqipëri, z. Reinout Vos u shpreh se kjo linjë do të rrisë numrin e vizitorëve.
Ambasadori i Holandës në Shqipëri: “Ky do të jetë një hap i rëndësishëm që Shqipëria të lidhet më mirë me pjesë të tjera të Evropës dhe integrimin në këtë komunitet. Por do të jetë një mundësi shumë e madhe për shumë pasagjerë që të fluturojnë drejt Tiranës”.
Linja direkte nga dhe drejt Amsterdamit shënon një tjetër moment të rëndësishëm për TIA-n, që vazhdon të zgjerojë hartën e destinacioneve direkte dhe të rrisë numrin e kompanive ajrore prestigjioze ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri.
Transavia (HV), është një degë e Grupit Air France-KLM. Pasagjerët kanë gjithashtu komoditetin e rezervimit të biletave brenda rrjetit të grupit për destinacione të tjera nëpërmjet: Air France (AF) në CDG (aeroporti i Parisit “Charles de Gaulle”) dhe Transavia France (TO) në 2 (dy) destinacione shtesë: ORY (Aeroporti “Orly”) dhe LYS (Aeroporti i Lionit “Saint-Exupery”).


