ME “ASA NËN MËNGË” PËR ZGJEDHJET/ Opozita dhe PS në pritje të ekspertëve për Kodin, pas tyre, do zbulojnë kërkesat

Mazhoranca dhe opozita kanë vendosur të qëndrojnë të tërhequr sa i përket kërkesave për ndryshimin e kodit zgjedhor. Nesër pritet që ekspertët të paraqesin dokumentin bazë mbështetur te OSBE-ja dhe Gjykata Kushtetuese, ndërsa kundërshtarët politik do të presin hapin e njëri-tjetrit

Mazhoranca dhe opozita do të ulen përballë të enjten për të nisur diskutimet konkrete për reformën zgjedhore.

Do të jetë komisioni i konsideruar si “I Paqes”, që fillimisht do të dëgjojë ekspertët mbi piketat ku do të shtrihen ndryshimet elektorale.

Duket se palët kanë vendosur të qëndrojnë në mbrojtje pa hedhur në tryezë atë se çfarë duhet të rishikojnë duke matur pulsin e njëra-tjetrës.

Opozita i qëndron besnike nismës për lista të hapura dhe votës së diasporës, por në takimin e orës 12:00 nuk do të ketë nene të propozuara, por katër ekspertët do të hedhin në letër atë çfarë ka kërkuar Gjykata Kushtetuese dhe OSBE/ODIHR-i.

Edhe socialistët asin do të vazhdojnë ta mbajnë nën mëngë duke ecur pas nismave të kundërshtarëve politik, që këtë herë do të vijnë përmes ekspertëve e më tej të tre anëtarëve.

Në këtë pikë ende nuk përmendet ndryshimi i rajoneve, pra propozimit të Bashës për kalimin në një zonë elektorale, apo në 5 të tilla siç janë shprehur të tjerë

Por dhe alarmi i KQZ-së se nuk ka më kohë për rregullimin ligjor të votës jashtë kufijve shtetërore dhe të votimit e numërimit elektronik nuk po shihet me shqetësim nga palët.

Mësohet po ashtu se vetëm pas takimit të 11 prillit Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu nga PS, e Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Erisa Xhixho nga opozita do të nisin të nxjerrin propozimet nga sirtarët që deri më tani qëndrojnë të mbyllur për të matur pulsin e kundërshtarëve mbi rregullat për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.