Krishti u ngjall! Arqipeshkvi Mitropolit i Tiranës: Të vihemi në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë
Krishti u ngjall! Besimtarët katolitë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar.
Arqidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës zhvilloi të dielën paradite meshën e Pashkëve në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, të cilën e drejtoi Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili uroi besimtarët dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, sociale e mediatike për t’u vënë në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë.
Shumë qytetarë iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytetet ku jetojnë për të kremtuar festën e shenjtë.
Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit”, të shtunën besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së Pashkëve.
Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.
Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.
Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite duke simbolizuar rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.
