4 automatikë dhe 5 pushkë do të shiteshin 10 mijë euro. Ish-policja mohon përfshirjen në këtë aktivitet

Denisa Halilaj, ish-punonjësja e Policisë së Burgjeve e arrestuar dy ditë më parë në Tiranë ka mohuar të kishte dijeni se shoqëruesit e saj do të shisnin armë.

Para policisë ajo është shprehur se me grupin në fjalë ka njohje të hershme miqësore.

Dëshmia e saj ka ndihmuar policinë për të faktuar pozicionin e çdo personi që ishte në makinë nga nisja në Shkodër deri në destinacionin e fundit, në Tiranë.

Gazetari i “Ora News”, Edison Vatnikaj, raporton se bisedat dhe për armët besohet se janë bërë me ndërmjetësim.

Mësohet se pazari për 9 armë zjarri, konkretisht 4 automatikë dhe 5 pushkë do të shiteshin me një shumë prej 10 mijë eurosh. Në këtë shumë do të përfshiheshin edhe municioni luftarak.

Policia po verifikon celularët e personave të arrestuar për të mësuar mbi bisedat e bëra nga grupi dhe nëse në këtë shitje armësh kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë.