Basha në Paris, takohet me nënkryetaren e Komisionit për Punët e Jashtme të parlamentit francez
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me Mireille Clapot, nënkryetare e Komisionit për Punët e Jashtme të parlamentit francez.
Basha informoi se në takim u diskutua mbi situatën e sigurisë dhe zhvillimet në rajon.
“Shpreha shqetësimin për gjuhën kërcënuese të Beogradit ndaj paqes dhe sigurisë në Kosovë, por edhe në rajon, me nxitje dhe mbështetje edhe nga Moska”, u shpreh ai.
Basha kërkoi po ashtu mbështetjen e Francës për anëtarësimin sa më parë të Kosovës në Këshillin e Europës, kjo edhe në interes të të drejtave të pretenduara për pakicën serbe atje.
“Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë, agresiviteti i Rusisë sa vjen dhe rritet.
Theksova domosdoshmërinë e mbështetjes për Ukrainën duke përdorur dhe asetet e ngrira të federatës ruse.
Në funksion të kësaj është dhe Rezoluta për Rindërtimin e Ukrainës që pritet të miratohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, shtoi Basha.
