Komisioni i përbashkët PD-PS, ja emrat e anëtarëve që do shqyrtojnë ligjet që kërkojnë mbi 84 vota
Të enjten në parlament do të nisë zbatimi i pikës së dytë të arritur në negociatat mes grupit parlamentar të PD së drejtuar nga Gazmend Bardhi dhe socialistëve.
Mësohet se selia rozë ka vendosur emrin e Damian Gjiknurit, Klotilda Bushkës dhe Toni Gogut si anëtarë të mekanizmit që do të shqyrtojnë ligjet që kërkohet të votohen me mbi 84 vota.
Nga ana tjetër opozita ka dhënë emrin e Oert Bylykbashit nga demokratët, Erisa Xhixhos nga Partia e Lirisë dhe një anëtar i është lënë Lulzim Bashës.
Por deri më tani ky i fundit ka refuzuar të bëjë propozim çka do të sjellë që Bardhi të vendosë dhe një tjetër emër.
Komisioni do të miratojë projektligjet përmes konsensusit duke synuar që në seancat parlamentare ndryshimet të kenë mbështetjen e plotë.
Një nga nismat që kanë mbetur pezull është ajo e amnistisë në burgje ku opozita ka kërkuar heqjen e faljes apo uljes së dënimit për zyrtarët e dënuar apo që janë në hetim për mos deklarimin e saktë të pasurive apo të formularëve.
Po ashtu propozohet dhe falja e të dënuarve apo hetuarve për pjesëmarrjen në protesta.
Duket se do të jetë ky mekanizëm që do të rishikojë projektin, edhe pse për mbledhjen e së enjtes nuk ka ende një axhendë të punës.
