“Luftë” për bashkinë Himarë, PS hedh në votim dy nënkryetarët, opozita paralajmëron protesta
Këshilli Bashkiak i Himarës pritet të vendosë me datën 29 mars se kush do ta drejtojë bashkinë pas arrestimit të Jorgo Goros.
Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria janë dy kandidatët që vijnë nga radhët e socialistëve që pritet të votohen nga 21 anëtarët e këshillit bashkiak.
Duket sikur të majtët nuk do e kenë të vështirë të mbledhin votat e këshillit, pasi 11 nga anëtarët e këshillit pritet për të votuar pro Balës ose Gjikurisë.
Konkretisht Socialistët kanë 9 anëtarë në këshillin bashkiak, ndërsa të kontaktuar nga Ora News votën pro e deklaruan Milto Nika nga Partia Social Demokrate dhe Maksi Vlashi nga MEGA.
Ndërkohë anëtari i Aleancës Arbënore Kombëtare nuk do të mund të votojë pasi ndodhet në konflikt interesi.
Ndërkohë votën e tij nuk pranoi ta deklaronte anëtari I LZHK-së Qirjako Mërkuri.
Ndërkohë 7 anëtarët e dalë nga koalicioni bashkë fitojmë dhe 1 anëtarë i partisë demokratike pritet të votojnë kundër.
E kontaktuar nga Ora News e para e listës së koalicionit Bashkë Fitojmë dhe kryetarja e degës së PD-së Himarë Afrovita Dhimojani tha se drejtimin e bashkisë duhet ta marrë një person i dalë nga koalicioni fitues dhe jo nga PS.
E vetmja zgjidhje provizore është që drejtimin duhet ta marrë një nga këshilltarët të koalicionit fitues, çdo individ i emëruar politik nuk do pranohet nga ne si këshilltar dhe as nga komuniteti.
Nëse socialistët zgjedhin një prej 2 nënkryetarëve të tyre Dhimojani nga PD paralajmëron protesta për të bllokuar atë që ajo e quan skenë të turpshme politike të kryeministrit Edi Rama.

