Transferimi i pronave për llogari të ish-deputetit të PS-së, Jorgo Goro mbetet në burg. Ja çfarë vendosi GJKKO për të tjerët
U mbajt këtë të martë seanca gjyqësore për kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goro, i cili u arrestua për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Seanca nisi në orën 11:30, ndërsa pak minuta me pare GJKKO vendosi masën e arrestit me burg.
Bashkë me Jorgo Goron në GJKKO është paraqitur edhe kreu i Kadastrës së Vlorës Biblil Aliaj dhe juristi Vezir Gjikoka. Aliaj akuzohet për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim.
Në vendimin e saj, GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për Bilbil Aliajn, duke e lënë në detyrim paraqitje. Ky i fundit para Gjykatës së Posaçme ka deklaruar:
“Nuk kam patur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam patur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodhe zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar. Kërkoj masë më të butë sigurie si detyrim paraqitje”
Ndërsa për Vezir Gjikokën u la në fuqi masa e arrestit në shtëpi.
Jorgo Goro ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj.
Ai ka pretenduar se veprimet e tij kanë qenë konform ligjit dhe se spak ka ngritur akuzë vetëm mbi shkresa përcjellëse në përputhje me funksionin.
Hetimet
Goro, akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaci, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka po ndërton një investim strategjik në miliona euro.
SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut, për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij toka u regjistrua në kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaçi me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.
Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.
Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.
Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ja mbivendosur atë një pasurie toke shtet.


