Akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, gjykata turke liron nga qelia Ibrahim Licin
Drejtësia për vrasjen e Endri Mustafës duket se ende nuk do të vijë, pasi autori i dyshuar i kësaj vrasjeje, Ibrahim Lici, ka fituar lirinë nga autoritetet turke pas gati 1 muaj e gjysme qëndrimi në qeli.
Ai u arrestua më 13 shkurt në një lagje të Stambollit pas shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj turke. Në momentin e arrestimit Licit iu sekuestrua edhe një armë zjarri si edhe dokumente të falsifikuara belge.
Por, pavarësisht këtyre dy veprave penale të kryera në Turqi dhe veprave të rënda penale për të cilat dyshohet në Shqipëri, për të cilat autoritetet shqiptare kanë përcjellë drejt Turqisë një dosje voluminoze me qëllim ekstradimin e tij drejt vendin tonë, ai sërish është lënë i lirë.
Gjykata turke ka vendosur lirimin nga qelia të Ibrahim Licit dhe masën shtrënguese ndaj tij për të mos dalë nga territori turk deri në përfundim të hetimeve ndaj tij.
Ibrahim Lici është një nga më të kërkuarit e policisë shqiptare, i cili akuzohet për një mori vrasjesh përmes atentateve në Shkodër. Më e fundit ishte ajo e Endri Mustafës në vitin 2021 në zonën e Livadheve në Shkodër.
Ishte vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla ai që përgëzoi arrestimin e Licit në Turqi.
Balla: Përgëzime Policisë së Shtetit, Interpol Tirana, Interpol Ankara për arrestimin në Stamboll, Turqi të një personi shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ata ndodhen. Ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me agjenicitë e vendeve me të cilat s’kemi ende një marrëveshje ekstradimi.
