Ambasadorja franceze nga Korça: Projekt për krijimin e Liceut Francez
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard foli sot nga Korça për projektin e krijimit të Liceut Francez.
Në një prononcim për mediet, Suard u shpreh se Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë biseduar në lidhje me këtë projekt.
Ambasadorja tha se, për këtë projekt në qershor pritet të vijë një ekspert francez për të studiuar terrenin, ndërsa liceun mund ta realizojnë në shtator të vitit 2025.
“Rama dhe Macron kanë pasur bisedime në lidhje me projektin e krijimit të liceut francez.
Ne shpresojmë që do ta arrijmë këtë.
Në qershor pritet të vijë një ekspert francez për të studiuar terrenin dhe situatat dhe me shpresë mund ta realizojmë diku nga shtatori i vitit 2025”, tha Suard.
Sa i përket zhvillimeve politike në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet e 2025, ambasadorja franceze nuk ka dashur të prononcohet.
“Unë nuk komentoj aktualitetin e politikës shqiptare, nuk mund të përgjigjem”, u shpreh ajo
Ambasadorja Suard ka zgjedhur Korçën në Ditën e Frankofonisë, pasi Korça sipas ambasadores është frankofonia në Shqipëri.
“Jam e gëzuar që jam në Korçë dhe ju duhet ta kuptoni përse.
Sepse nuk do doja të isha diku tjetër përveçse në Korçë. Sot është dita e Frankofonisë. Korça është frankofonia në Shqipëri.
Jam këtu edhe njëherë tjetër më shumë.
Vij shpesh për të mbështetur aktivitetin e Aleancës Franceze të Universitetit të bashkisë, me të cilën kemi goxha projekte, edhe një projekt për Liceun Francez.
Jam këtu për të mbështetur konkurruesit që do vijnë për konkursin ‘Pena e Artë’”, u shpreh ambasadorja.
