Lecce rikthehet te fitorja dhe i largohet zonës së ftohtë, Ramadani humb ndeshjen e radhës
Ndryshimi i trajnerit jep efekt te Lecce, që ia ka dalë të rigjejë fitoren e munguar prej javësh dhe t’i largohet disi zonës së ftohtë të renditjes.
Skuadra ku luan mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Salernitanës, një rivale direkte për mbijetesën.
Sfida u vendos nga një autogol i Gyomber në minutën e 17’, teksa Salernitana mbetet kështu në vendin e fundit me 14 pikë, duke qenë tashmë me një këmbë në Serinë B, pasi 9 javë nga fundi vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë nga rënia.
Nga ana tjetër, me Ramadanin titullar, Lecce merr fitoren dhe ngjitet në vendin e 13 me 28 pikë, 4 pikë larg zonës së ftohtë të renditjes.
Vlen të theksohet se mesfushori kuqezi u ndëshkua me karton të verdhë, duke plotësuar numrin dhe do të mungojë në sfidën e radhës që Lecce do ta luajë ndaj Romës në shtëpi.
Më herët Monza mposhti Cagliarin me rezultatin minimal 1-0, ndërsa Torino triumfoi 0-2 në transfertën ndaj Udineses.
