Marrëveshja pozitë-opozitë, Gjermania: Kontroll Qeverisë dhe legjislativit në interes të qytetarëve të përfaqësuar nga deputetët
Marrëveshja e arritur në Konferencën e Kryetarëve mes pozitës dhe opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore, si dhe një grupi pune që do të diskutojë mbi ligjet që kërkojnë për miratim shumicë të cilësuar votash, është përshëndetur edhe nga Ambasada Gjermane në Tiranë.
Në një reagim, ambasada gjermane thekson se mirëpret rifillimin e aktivitetit konstruktiv të Kuvendi me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara.
Gjithashtu theksohet se kjo është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Ambasada Gjermane mirëpret marrëveshjen për rifillimin e aktivitetit konstruktiv të Kuvendit me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara.
Kjo është një shenjë inkurajuese për procesin demokratik dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Qytetarët/et me të drejtë presin që parlamenti i tyre të bëjë të mundur, që shkëmbimi dhe gara e ideve të ndryshme të zhvillohen paqësisht dhe në përputhje me rregullat.
Vetëm në këtë mënyrë Parlamenti mund të përmbushë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në interes të qytetarëve të përfaqësuar nga deputetët”, thuhet në reagim.


