U vra sot në banesë, kush është Gentian Bejtja, verën e kaluar iu bë atentat, ku vdiq kunati i tij

Është ekzekutuar ditën e sotme në banesën e tij në Fushë Krujë ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja. 

Gentjan Bejtja ka qenë edhe më herët objektivi i sulmit me armë në korrik 2023, ku është sulmuar me armë automatike nga tre persona ende të paidentifikuar.

Bejtja u largua duke i shpëtuar atentatit ndërsa viktimë mbeti kunati i tij, Ramazan Sino dhe të plagosur dy fëmijët e mitur 10 dhe 13 vjeç. Autorët zbrazën ndaj tij plot 28 plumba automatiku.

Fëmijët ndodheshin brenda një automjeti së bashku me dajën e tyre Ramazan Sino, të cilët teksa po hynin në ambientet e shtëpisë së Gentian Bejtjas, janë sulmuar më armë në mënyrë të befasishme.

Sipas burimeve të policisë, autorët kanë zënë pritë pranë banesës së Bejtjas, ku sapo është shfaqur makina e tij, kanë hapur zjarr, duke vrarë në vend drejtuesin e makinës Ramazan Sino dhe plagosur dy fëmijët e mitur.

Ngjarja ndodhi në oborrin e shtëpisë, ndërsa në vendin e krimit policia kriminale ka sekuestruar plot 28 gëzhoja automatiku, të cilat tashmë janë çuar për ekspertim balistik dhe daktiloskopik, për të mësuar nëse janë qitur nga e njëjta armë dhe nëse ka elemente të gjurmëve të gishtave.

Për herë të parë, emri i Gentian Bejtja, është lakuar mediatikisht kur në qytetin e Durrësit, vodhi së bashku me Enver Stafukën makinën tip “BMW”, të cilën disa ditë më vonë e përdorën në vrasjen e kryekomisarit të policisë së Shtetit, Dritan Lamaj në Tiranë.

Bejtja është lakuar dhe në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, ku pas marjes në pyetje ai është lënë sërish i lirë. Në vrasjen e Arben Mërkurin alias “Maneci”, Gentjan Bejtja ka dhënë shpjegime në polici mbi atë çfarë dinte.

Më pas ai është lënë i lirë. Ndërsa pyetja e tij në polici, ka vijuar dhe për ngjarjen e vrasjes së Iljaz Çalit në autostradë dhe tek vrasja e ndodhur një vit më parë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vdekur Briland Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Bejtja njihet si një person që mbante lidhje të ngushta me Enver Stafukën, të zhdukur disa vite më parë. Ndërsa mes kundërshtarëve të tij në zonën e Fushë-Krujës, policia rendit Durim Bamin, Ramazan Rajën, Mariglen Hakën.