VIDEO/ "Rithemelimi" mesazh për 8 Mars: Festë dhe protestë për gratë e vrara, nënat me fëmijë në emigracion, pensionistet e varfra
Partia Demokratike e grupimit të Rithemelimit ka përcjellë sot një mesazh, drejtuar grave dhe vajzave shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ku thekson se dita e sotme është sa festë, aq edhe protestë.
Në video-mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, selia blu shprehet:
“8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e gruas! Një ditë feste por dhe proteste. Partia Demokratike është sot në krah të grave dhe vajzave, në çdo cep të Shqipërisë dhe në Diasporë, ku i ka detyruar qeverisja e Edi Ramës.
Sot është ditë feste dhe gëzuar! Por është edhe ditë proteste, për 19 gratë e vrara gjatë harkut kohor të një viti.
Është ditë proteste, për nënat të cilave ua ka marrë emigrimi fëmijët, për vajzat që e kanë të pamundur arsimin cilësor.
Për gjyshet me pensione të paindeksuara dhe barnat me çmime të papërballueshme. Për studentet që diplomohen dhe duhet ta dorëzojnë fatin e punësimit të tyre në duar patronazhistesh.”


