Rama në Kavajë: PS, vullnet për të risjellë në jetë çka të tjerët kanë shkatërruar

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste  zhvilloi sot një takim me organizatat socialiste 2178 dhe 2178/1 në Kavajë, që vijoi me anëtarësime të reja në parti në kuadër të procesit të rienergjizimit të PS-së.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Rama u shpreh se “Kavaja është një shembull shumë kuptimplotë për faktin që Partia Socialiste i ka vetë në dorë, edhe rezultatin pozitiv edhe rezultatin negativ, edhe fitoren edhe humbjen”.

“Shoqëria jonë ndryshon me shpejtësi thuajse përditë. Shqipëria ndryshon çdo vit dhe Partia Socialiste nuk mund të mos ndryshojë me ritmin e shoqërisë që pastaj që Shqipëria të ndryshojë edhe më shpejtë. 

Kavaja është një shembull se si mosmbajtja e ritmit të ndryshimit, se si mbyllja e partisë me idenë që fitorja i takon disave dhe nuk i takon të gjithëve, se si mungesa e vetëdijes për nevojën e një vetëreflektimi të vazhdueshëm prodhon faturën e humbjes”, tha ai.

Rama u shpreh se “duhet të jemi shumë të vëmendshëm edhe në raport me detyrimet që kemi këtu për sa i përket këshillit bashkiak”.

“Më thanë që ishte bllokuar buxheti i Bashkisë. Ne mund të kemi numrat për të bllokuar buxhetin e bashkisë, por ne nuk mund të jemi bllokuesit e buxhetit të bashkisë.

Këshilltarët e bashkisë janë aty për t’i shërbyer komunitetit, nuk janë aty për t’i bërë karshillëk ultrasve të anës tjetër”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kemi bërë edhe ne shumë gjëra që po të ktheheshim mbrapa, jam i bindur që nuk do t’i përsërisnim, sepse kemi mësuar shumë gjëra ndërkohë”.

“Ashtu sikundër ne e shikojmë se sa rezultat jep kur t’i bën një opozitë qorre, shurdhe dhe ku trurin e le në frigorifer kur del nga shtëpia dhe në vend të trurit përdor krahët, përdor këmbët, përdor kokën sikur të ishte një tenxhere bosh me të cilën i bie murit. Nuk funksionon”, vijoi ai.

Rama nënvizoi se “Partia Socialiste është një forcë që historikisht ka dëshmuar vullnet për të korrigjuar, apo për të rindërtuar, apo për të risjellë në jetë çka të tjerët kanë bërë shtrembër, kanë shkatërruar, apo kanë asgjësuar”.