Ish-shefi juridik i ministrisë së mbrojtjes i vetmi që dëshmon ndaj Mediut për “Gërdecin”: Nuk do të firmosja

Ish- Shefi juridik i ministrisë së mbrojtjes Rezart Tërshana, ishte i vetmi dëshmitar që pranoi të fliste në procesin ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me procesin ndaj këtij të fundit për dosjen “Gërdeci”.

3 ish-të pandehurit e tjerë si ish-drejtori i fabrikës së demontimit Dritan Minxolli, ish-përgjegjësi ushtarak në fabrikë Sokol Ngjeçi dhe ish-ushtaraku Besnik Dauti nuk pranuan të dëshmojnë duke shfrytëzuar të drejtë që iu jep ligji për të mos folur.

Tërshana tha se ishte dënuar pa të drejtë nga Gjykata e Apelit, pasi nga gjykata e Shkallës së Parë ishte shpallur i pafajshëm. Kishte punuar në ministrinë e Mbrojtjes nga viti 2002-2013 si shef i drejtorisë juridike.

Ai tha se ka qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të çmimeve të fishekëve. Ai tha që për të përcaktuar çmimin e municioneve për demontim, ishte caktuar një formulë e ndarë në dy shtylla.

“Ne llogarisnim vetëm se sa kishim të ardhurat nga tunxhi dhe bronzi. Ndërsa sa i takon transportit ne nuk e kishim të përfshirë në kosto sepse nuk e dinim dhe nuk kishim të dhënat e distancës së magazinës së demontimit me adresën ku do zhvendosej. Sa i takon barutit në çdo rast nuk futej në kosto sepse duhej të asgjësohej dhe nuk di çka ndodhur në Gërdec që nuk u asgjësua. Kompania “SAK” ishte e vetmja që shprehu interes, na interesonte se deri në 2008 kishin qenë me humbje demontimet që i kushtonin buxhetit të shtetit deri në atë periudhë deri në 35 milionë dollarë.”

Ndërkohë që pyetjes së avokatit të Mediut Ardian Visha se çfarë do të kishte bërë ndryshe tashmë që kanë kaluar 17 vjet, Tërshana tha se “sdo bëja asgjë ndryshe vetëm se nuk do të firmosja”.

Ndërkohë GJKKO njoftoi se nga Ministria e Drejtësisë kishte ardhur përgjigja se autoritet amerikane kanë pranuar kërkesën e autoriteteve tona për të marrë deklarimet e 5 personave mes tyre edhe Patrick Henry të kompanisë “SAK”, por kërkonte të skatësonte disa pyetje për secilin si dhe ti viheshin në dispozicion Henryt emaili që ai ka patur me ish drejtorin e”MEICO”, Ylli Pinarin.

Autoritetet amerikane kanë lënë seancë më 12 maj dhe brenda kësaj date duhet të mbërrijë përgjigja nga shqipëria, ndërkohë që sugjeronin se seanca mund të bëhej edhe me videokonferencë. Sa i takon Luan Hoxhës, Anjola Agollit dhe Dashnor Caushit, policia nuk i kishte gjetur dhe SPAK kërkoi të ripërsëritet thirrja e tyre.

Seanca e radhës u caktua më 13 mars në ora 9. Mediu u ftua sërish të dëshmonte si i pandehur nga SPAL, por ai tha se do të priste përfundimin e dëshmive të të gjithë personave të thirru në proces dhe do të konsultohej me avokatët.