ATENTAT NË DERË TË SHKOLLËS/ Plagoset 54-vjeçari në Rrilë të Lezhës, plumbat rrezikuan nxënësit

54 vjeçari Agron Puka mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri mëngjesin e së mërkurës në Rrilë të Lezhës.  Autorët që sipas të dhënave ishin të paktën 4 i bënë atentat sapo ai la fëmijët në shkollën e fshatit. Breshëria e plumbave rrezikoi nxënësit dhe mësuesit në shkollën vetëm disa metra nga vendngjarja. Atentati po hetohet në disa pista!

Agron Puka, 54-vjeç mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri në Rrilë të Lezhës, ndërsa po udhëtonte me këtë makinë.

Këto pamje tregojnë breshërinë e plumbave që u qëlluan.

54 vjeçari sipas burimeve sapo kishte lënë fëmijët  pranë shkollës së fshatit, rreth orës 08 00 kur i bënë pritë!

Autorët sipas dëshmive erdhën me një makinë të bardhë nga ku zbritën 3 persona dhe hapën zjarr ndaj mjetit të Agron Pukës. I katërti ishte në timon.

Pas atentatit ata u larguan me shpejtësi nga zona.

Sulmi agresive pranë shkollës krijoi panik në zonë ndërsa breshëria e plumbave rrezikoi nxënësit e mësuesit e shkollës 9-vjeçare të Rrilës vetëm disa metra më tej.

Ngjarja që rrezikoi të prodhojë tragjedi, vuri në alarm policinë.

Në ndihmë të strukturave lokale mbërritën edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër.

Ekspertët kryen hetime e morën dëshmi në funksion të identifikimit të autorëve, ndërsa u kryen kontrolle dhe u ngritën postblloqe.

Agron Puka, nuk rezulton të ketë precedentë të mëhershëm penale, ndërsa raportohet se ka një blegtorale në Lezhë.

Motivi i atentatit është ende në hetim, por pista kryesore lidhet me një konflikt në Lezhë.

Burime thanë se 54-vjeçari në bashkëpunim ka goditur me sende të forta një tjetër person. As motivet e kësaj ngjarje nuk janë të qarta.

Mes breshërisë së plumbave, Agron Puka mësohet se ka marrë një plagë në shpatull dhe pas trajtimit në Spital raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Një grup i posaçëm hetimor po vijon hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet e atentatit ndaj 54-vjeçarit!

ATENTAT NË DERË TË SHKOLLËS/ Plagoset 54-vjeçari