Ligji për Zonat e Mbrojtura, Xhixho: Është i papajtueshëm me Kushtetutën, do vijojmë betejën në Kushtetuese
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se ligji për zonat e Mbrojtura është një ligj i papajtueshëm edhe me Kushtetutën dhe se shkel konventat e tjera për mbrojtjen e natyrës.
Postimi i Erisa Xhixho:
Maxhoranca në pushtet e ka kthyer në praktikë të zakonshme qepjen e ligjeve si kostum pas trupit të klientëve të saj, për t’i sjellë për miratim me urgjencë, duke shmangur në mënyrë arbitrare diskutimet e hapura me grupet e interesit.
Ligje të tilla, të projektuara për të çuar fitime në xhepat e një grupi të paracaktuar klientësh të qeverisë, miratohen me forcën e kartonit në një Parlament, ku opozitës i janë hequr mekanizmat e kontrollit parlamentar.
Aq i madh duhet të jetë lobimi pas ligjit zonat e mbrojtura, saqë qeveria nuk ndalet as para insistimit të BE-së për transparencë dhe konsultim me palët e interesuara.
Përveçse shkel MSA-në dhe konventat e tjera për mbrojtjen e natyrës, ky ligj është i papajtueshëm edhe me Kushtetutën.
Gjatë forumit me titull: “Fuqizimi i Rolit Mbikqyrës të Legjislativit në Vlerësimin e Hapësirave për Korrupsion të Projektligjit për Zonat e Mbrojtura”, theksova gatishmërinë e forcës politike që përfaqësoj dhe opozitës për ta vijuar betejën kundër këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke mbështetur ekspertët dhe organizatat mjedisore në çdo hap.
Do t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje sepse është më e pakta që mund të bëjmë për Shqipërinë që do t’u lëmë fëmijëve tanë.
Mirënjohje ACER dhe Fondacionit Westminster për Demokracinë (WFD) për mundësinë e shkëmbimit të ideve në kuadër të projektit: “Rritja e Llogaridhënies së Qeverisë përmes një Parlamenti më Reagues”, financuar nga Ambasada Britanike në Tiranë