EMRAT/ KSHZ plotëson vakancat në 4 këshilla bashkiakë
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme publike shqyrtoi rezultatin e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Elvis Hajdërlli, kandidat për Kryetar Bashkie në Bashkinë Devoll, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Komisioneri deklaroi të përfunduar procedurën administrative dhe pa vendim përfundimtar për sa kohë ky subjekt nuk ka përfituar mandat, dhe në asnjë rast e për asnjë rrethanë nuk do të mund të marrë këtë funksion publik për të cilin është iniciuar procedura administrative e verifikimit të thelluar.
Po ashtu, u shqyrtua edhe rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Dritan Salkurti, anëtar në Këshillin e Bashkisë Dibër, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 Qershor 2019, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Komisioneri deklaroi të përfunduar procedurën administrative dhe pa vendim përfundimtar pasi ky subjekt në asnjë rast e për asnjë rrethanë nuk do të mund të marrë këtë funksion publik për të cilin është iniciuar procedura administrative e verifikimit të thelluar.
Gjithashtu, Komisioneri plotësoi vakancat e krijuara në katër këshilla bashkiakë:
Në Këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, Alfred Muharemi;
Në Këshillin e Bashkisë Kukës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor “Partia Nisma Thurje”, Averdi Syla;
Në Këshillin e Bashkisë Selenicë, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor “Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë”, Idai Veizaj;
Në Këshillin e Bashkisë Kavajë, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Kledja Vishkulli.
Shqyrtimi i rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues Kristian Shkreli, kryetar bashkie në Bashkinë Vau-Dejës, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, u shty deri në administrimin e informacionit nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Orangizuar (SPAK).


