Samiti në Tiranë, Çika: Shqipëria jo e vogël tashmë në politikat e mëdha. Zelenksi “e përdori” luftën për të rritur imazhin e tij tek ukrainasit
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, mikpritës së bashku, liderët pjesëmarrës në Samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”, i cili zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.
Ky takim me rëndësi të posaçme mbledh në një tryezë diskutimi liderët: BorjanaKrišto, Kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës; Maia Sandu, Presidente e Moldavisë; Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës; Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut; Aleksandar Vučić, President i Serbisë; Andrej Plenković, Kryeministër i Kroacisë dhe Jakov Milatović, President i Malit të Zi- për të dëshmuar edhe një herë vlerat e përbashkëta të vendeve në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Ukrainës.
Për të kuptuar më shumë nga ky aktivitet i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Emiljo Çika.
“Përfitimi i Shqipërisë nga ky aktivitet është gjerë. Në radhë të parë del në pah si një aktor sigurie dhe stabiliteti në Rajon. E dyta, jep mesazhe mbi vlerat dhe qëndrimet perëndimore, si dhe linjëzimin e plotë me aleatët e saj evropian por edhe ato të NATO-s.
Pra, Shqipëria ë shfrytëzon këtë forum për të dhënë mesazhe qoftë për agresionin rus në Ukrainë, qoftë edhe për rolin e saj në Rajon që është vlerësuar edhe pak ditë më parë.
Samiti është akoma edhe më i shtrirë në atë që quhet si Evropa Juglindore, dhe Shqipëria shfrytëzon në maksimum atë që quhet daljen e saj në arenën ndërkombëtare nëpërmjet forumeve, sepse shtetet vogla i kanë të pakta mundësitë për të qenë pjesë e politikave të mëdha.
Rrjedhimisht, shfrytëzon dhe duhet t’i shfrytëzojë takime të tillë qoftë për t’u dëgjuar zëri i saj, qoftë edhe të ketë zë deri diku për të nxjerrë edhe ato që janë vlerat dhe kontributet e saj në rajon”, u shpreh Çika.
Në vijim eksperti i çështjeve ndërkombëtare do të analizonte edhe figurën e presidentit Zelensky në drejtimin e vendit të tij në këto vite lufte, i cili vjen nga bota e ekranit.
“Kemi shembuj jo vetëm në Ukrainë, por edhe shembuj në shtetet e tjera ku aktorë të caktuar janë shndërruar në presidentë të suksesshmëm të vendeve të tyre. Përmendim këtu shembullin e Presidentit Regan në SHBA, i cili nga një aktor i Hollivudit u shndërrua në një nga presidentët më me ndikim jo vetëm në politikat e brendshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të të dominancës së SHBA-së në botë.
Presidenti Zelensky nuk do të ishte dhe nuk do të kishte këtë efekt nëse ai nuk do të kishte mbështetjen e SHBA-së, kundrejt agresionit nga Rusia. Pra, figura e tij në këtë agresion rus ka një “shkëlqim” le të themi në arenën ndërkombëtare pikërisht nga mbështetja që ka nga aleatët e tij.
Së dyti, Presidenti Zelensky përmes kësaj lufte arriti që të tejkalojë problematikat me politikat e tij të brendshme para se të ndodhte agresioni rus. Ai ishte në një pozitë thuajse i vendosur politikisht me shpatulla pas murit, kjo lidhur me akuzat që ishin bërë në atë kohë ndaj tij për mënyrën e qeverisjes së vendit, për mënyrën e luftimit apo mos luftimit të korrupsionit, dhe të gjitha këto u lanë pas dhe u tejkaluan pikërisht edhe nga mënyra se si ai qëndroi në drejtimin e luftës”, u shpreh në analizën e tij, eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Emiljo Çika.



