Ligji për zonat e mbrojtura, reagon BE: Do të ndjekim me vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë reagoi sot për miratimin në Kuvend të ligjit për zonat e mbrojtura.

Delegacioni i BE thekson se, “rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë.

Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane”.

“Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”, shton Delegacioni i BE.

Delegacioni i BE-së bën të ditur se, do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.