“Serial killer!”, Tritan Shehu akuza qeverisë: Është bashkëfajtore për krimet që po ndodhin në vend
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe institucioneve, duke thënë se ata janë shkaktarë të vetëvrasjeve të të rinjve në vendin tonë me fotoksinë.
Komentet Shehu i bëri nga ambientet e jashtme të Parlamentit, ku mori përmendi rastin e 23-vjeçares që i dha fund jetës gjatë këtyre ditëve.
Ai tha se fotoksina gjendet aq lehtë në Shqipëri, njësoj sikur të marrësh karamele, ndërkohë që sipas tij, medikamente të zakonshme i jepen qytetarëve me recetë.
“Desha të kem një komunikim me median sot, për të akuzuar këtë shtet, këtë qeveri, këta drejtues si vrasës serial në vendin tonë. Mbrëmë një vajzë e re humbi jetën nga fotoksina.
Një krim në vazhdim i paimagjinueshëm, që po përsëritet pafund në vendin tonë Fotoksina vijon të importohet dhe nuk hiqet nga farmakopea bujqësore.
Të rinjtë që mund të kenë një tendenca për vetëvrasje, stimulohen nga kjo dhe e marrin atë shumë thjeshtë si një karamele kudo.
Edhe medikamente të zakonshme sot i jepen qytetarëve në bazë të recetave, ndërsa helme të tilla janë në rrugë dhe kudo duke u bërë shkaktarë për vetëvrasjet e shumta.
Ka ardhur koha t’i ndalojmë. Prandaj e akuzoj këtë shtet si vrasës serial ndaj të rinjve”, tha Shehu.


