Manja: Amnistia nuk kthehet në Komisionin e Ligjeve, konsensusin do e gjejmë në Kuvend

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja tha për mediat se projektligji për amnistinë penale nuk do të kthehet në Komisionin e Ligjeve.

Edhe pse u tërhoq sot nga rendi i ditës, Manja shprehet se konsensusi për amnistinë duhet të gjendet brenda sallës së Parlamentit ndërsa shtoi se amnistia është një akt mëshire i deputetëve, ndaj nuk duhet të dalë secili me një amnisti “më vete në xhep”, por duhet të dakordësohen.

“Referuar Rregullores së Kuvendit, drafti i amnistisë, nuk kthehet në komisionin e ligjeve. Rregullorja e ka të përcaktuar se kur një projekt-ligj kthehet në komision.

Fakti që ne e tërhoqëm sot, do të thotë se konsensusi sipas traditës do gjendet në këtë sallë. Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar plot avokatë dhe juristë sharlatanë që rrinë secili me draftin e vetë të  amnistisë në xhep.

Këto ditë kam dëgjuar edhe plot gënjeshtarë politike të cilët mashtrimin e opinionit publik e kanë art më vete, jo vetëm e kanë ves, por e kanë qenie të karakterit të tyre.

Duke mashtruar opinionin publik se ne me këtë amnisti duam të amnistojmë zyrtarët e lartë të korruptuar të këtij vendi që janë dënuar nga GJKKO.

Ne e kemi bërë të qartë që nuk do amnistojmë zyrtarë të lartë të këtij vendi që janë dënuar nga GJKKO. E kemi bërë të qartë që nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ministri Ulsi Manja.