Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Doda: Edhe PDIU-ja e votoi

Është votuar me 77 vota marreveshja e emigranteve mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni.

Marrëveshja nuk ka marrë asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, ndërkohë që për këtë pakt ka votuar edhe PDIU.

Sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie njëherësh edhe deputete, Mesila Doda u shpreh e kënaqur për bashkimin e votave me socialistët.

“Ishim pro marrëveshjes. Bëhet fjalë për një shtet mik, një shtet fqinj, që është në një moment krize. Ne mund të ndihmojmë për një problematike të tyre, dhe duhet të jemi në krah të tyre. Nuk bëhet fjalë të mbështesim individë që mund të jete Fredi Beleri, por një shtet mik.”, tha ajo.

Javën e kaluar marrëveshja mori “OK” edhe nga Gjykata Kushtetuese, si një pakt në përputhje me Kushtetutën, duke hedhur poshtë propozimet e opozitës.

Kjo marrëveshja parashikon ndërtimin në vendin tonë të kampeve që do të presin emigrantët afrikanë të kthyer nga Italia, derisa të plotësohet dokumentacioni i tyre, ku do të shihet nëse do të përfitojnë azil apo jo.

Marrëveshja është kundërshtuar nga opozita në të dy vendet, por edhe nga aksponentë të lartë të BE-së, të cilët kanë shprehur skepticizmin e tyre për të.