Deputeti i PS-së: Opozita në luftë civile brenda saj, dhe kjo luftë nuk zgjidhet me protestë para Kryeministrisë
Për deputetin e Partisë Socialiste Lavdrim Krashi protesta është një e drejtë legjitime e çdo qytetari dhe partie politike, dhe si e tillë ajo që do të ndodhë pasditen e sotme në Tiranë është diçka normale në një shtet demokrati.
Por sa i përket kauzës së opozitës në këtë protestë, Krashi në një intervistë dhënë në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se protesta s’ka asnjë lidhje me qytetarët, pasi opozita është e zhytur në në krizë të thellë.
“E drejta e protestës është një e drejtë legjitime, është një e drejtë e çdo qytetari që e ndjen të arsyeshme se mënyra më e mirë për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet është nëpërmjet protestës.
Në këtë kontekst, mendoj se kjo është një e drejtë legjitime e opozitës.
Për mendimin tim opozita ndodhet në një situatë, e cila nuk zgjidhet me protesta kundër qeverisë sepse pjesën më të madhe të problematikës e kanë brenda për brenda vetes.
Ata janë në një luftë civile prej më shumë se dy vitesh, e cila duhet zgjidhur në mënyra të tjera. Por protesta para Kryeministrisë për të zgjidhur problemet që ata kanë brenda tyre është e pakuptimtë.
Bazuar në atë se ku jemi sot dhe çfarë ka realizuar PS-ja, patjetër që nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, patjetër që ato do të fitoheshin nga PS-ja”, u shpreh ligjvënësi socialist.
Lidhur me marrëveshjen për emigrantët me Italinë e vendos Shqipërinë në një vend dinjitoz, duke u kthyer në një kontribuuese në vendet mike, e veçanërisht ndaj Italisë.
Po ashtu, deputeti socialist vlerësoi dhe marrëdhëniet e mira edhe me Turqinë atje ku kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare.


