PAMJET/ Gati për çdo eskalim të situatës në shesh, policia nxjerr në bulevard edhe mjetet e rënda

Kur na ndajnë pak më shumë se një orë nga grumbullimi i protestuesve në sheshin para Kryeministrisë, në bulevard kanë zbarkuar dhjetëra forca policie të cilët janë shpërndarë përgjatë gjithë perimetrit të godinës qeveritare.

Në pamjet e siguruara nga “Ora Neës”, në bulevard tashmë kanë ardhur dhe mjetet e rënda, që do të qëndrojnë në gadishmëri për çdo eskalim të situatës në bulevard. Bëhet fjalë për autobotet e ujit të cilat mund të përdoren për të shpërndarë turmat, nëse do jetë e nevojshme.

Më herët policia gjithashtu  ka vendosur gardh metalik përballë Kryeministrisë, ku është edhe zona ku do të mblidhen qytetarët.

Ndërkohë është instaluar edhe podiumi nga ku do të flasin krerët e opozitës. I pranishëm sot në protestë nuk do të jetë ish-kryeministri Sali Berisha pasi ndodhet nën masën e sigurisë Arrest Shtëpie, por pritet që ai t’iu drejtohet qytetarëve në shesh me një lidhje online me video nga ballkoni i banesës së tij.